U kap me kanabis që do e shiste në qytet, pranga 35-vjeçarit në Durrës

13/11/2026 13:10

Një 35-vjeçar është arrestuar në Qerret të Durrësit, pasi dyshohet se posedonte kanabis me qëllim shitjen në qytet.

Gjatë kontrollit fizik dhe më pas në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi dy sasi të lëndës narkotike Cannabis Sativa.

Njoftimi i policisë:

Durrës/Goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike.

Posedonte lëndë narkotike Cannabis Sativa, me qëllim shitjen, kapet në flagrancë në Qerret dhe arrestohet 35-vjeçari.

Sekuestrohet lënda narkotike.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës, si rezultat i kontrolleve për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, goditën një rast të kësaj veprimtarie dhe arrestuan autorin e dyshuar, L. K., 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës.

Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, në vendin ku u ndalua, në Qerret, këtij shtetasi iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Në vijim, gjatë kontrollit në banesë iu gjet një tjetër sasi e kësaj lënde.

Lënda narkotike, të cilën ky shtetas e posedonte me qëllim shitjen, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Top Channel