Sulmuesi 21-vjeçar po kalon një sezon fantastik në Serie A, me 9 gola në dhjetë ndeshje. Për talentin e Monzës kanë shfaqur interes edhe Interi dhe Napoli, ndërsa Juventusi po shqyrton mundësinë e një sulmi në merkaton e janarit.
Juventusi vijon kërkimet për një sulmues që mund të përforcojë repartin ofensiv dhe një emër i ri ka përfunduar në listën e dëshirave të drejtuesve bardhezinj. Bëhet fjalë për Gustavo Varela, 21-vjeçarin e Monzës, i cili po tërheq vëmendjen me paraqitjet e tij në kampionatin italian.
Sulmuesi ka realizuar nëntë gola në dhjetë ndeshje të Serie A, duke pasur një impakt të jashtëzakonshëm në sezonin e tij. Performancat e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re nga klubet e mëdha italiane. Përveç Juventusit, në garë për shërbimet e tij janë edhe Interi dhe Napoli, me këtë të fundit që po e shqyrton mundësinë e një transferimi që në janar.
Sipas raportimeve të Tuttosport, drejtori sportiv i Juventusit, Massara, mund të mbështetet te marrëdhëniet e mira me agjencinë që përfaqëson interesat e Varelas. E njëjta agjenci menaxhon edhe Licinën, talentin e Juventusit që aktualisht është i huazuar te Cremonese. Kjo lidhje mund të shërbejë si një avantazh në negociata përballë konkurrencës.
Ndërkohë, një gjë duket e sigurt: Juventusi synon të afrojë një sulmues të ri gjatë merkatos së janarit. Drejtuesit do të analizojnë mundësitë që do të ofrojë tregu, pasi në listë janë disa alternativa.
Mes emrave të përmendur është edhe Tresoldi, por ky opsion konsiderohet më tepër një pistë intriguese sesa një objektiv konkret në këtë fazë.
