Niveli i punimeve inxhinierike dhe i fortifikimeve përgjatë kufirit të Ukrainës me Bjellorusinë është i lartë, ndërsa përpjekjet për forcimin e tij vazhdojnë.

Këtë e deklaroi Andrii Demchenko, zëdhënës i Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare të Ukrainës, gjatë një transmetimi televiziv, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


“Punimet po vazhdojnë në këtë zonë, e cila është nën përgjegjësinë e njësive tona. Nuk do të zbuloj të gjitha detajet lidhur me nivelin e gatishmërisë, se sa pjesë e kufirit është fortifikuar apo cilat seksione specifike janë përfshirë. Megjithatë, këto punime po kryhen sipas standardeve mjaft të larta në të gjitha rajonet e vendit tonë që kufizohen me Bjellorusinë dhe po vazhdojnë pa ndërprerje”, ka thënë Demchenko.

Ai theksoi sërish se përpjekjet për të forcuar kufirin ukrainaso-bjellorus janë duke vazhduar.

“Ne duhet të zgjerojmë vazhdimisht mbrojtjet inxhinierike dhe fortifikimet pikërisht përgjatë kufirit, në mënyrë që çdo ushtar ukrainas i vendosur në këtë zonë të ketë të gjitha mjetet e nevojshme për t'iu kundërvënë çdo kërcënimi që mund të vijë nga territori bjellorus”, vuri në dukje Demchenko.

Ai shpjegoi se kufiri me Bjellorusinë mbetet një kërcënim për Ukrainën dhe se vendi duhet të jetë i përgatitur për çdo zhvillim të mundshëm.

“Kjo zonë mbetet një kërcënim për ne. Për fat të mirë, nuk kemi vërejtur ndonjë aktivitet në anën tjetër të kufirit, e as ndonjë grumbullim forcash apo pajisjesh. Por, për sa kohë që Bjellorusia mbetet brenda sferës së ndikimit të Kremlinit, detyra jonë është të jemi të përgatitur për çdo zhvillim të mundshëm”, ka thënë zëdhënësi i Shërbimit Shtetëror të Rojës Kufitare.

Siç raportoi agjencia Ukrinform, Bjellorusia mund t'i përfundojë fazat kryesore të militarizimit të saj deri në mesin e vitit 2027. /Telegrafi/