Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka komentuar për herë të parë mundësinë e kandidimit për kryetar të Bashkisë së Lezhës në zgjedhjet vendore të vitit 2027.
I ftuar në emisionin “Minuta e Parë”, Gjoni u pyet nëse do të jetë në garë për drejtimin e bashkisë, ndërsa në përgjigjen e tij la të hapur mundësinë e kandidimit, duke theksuar se vendimi do të merret në bazë të kërkesës së qytetarëve dhe vendimmarrjes së Partisë Demokratike.
Deputeti nënvizoi se nuk mund ta konsiderojë veten kandidatin e PD-së për Lezhën, pasi procesi i përzgjedhjes i takon strukturave dhe forumeve vendimmarrëse të partisë. Megjithatë, ai pranoi se ka një mbështetje dhe interes nga baza demokrate, por edhe nga qytetarë që nuk janë pjesë e strukturave politike.
“Nuk mund të them se jam kandidati i Lezhës për demokratët. PD ka strukturën e saj organizative, vendimmarrjen e saj mbi bazën e të dhënave që do mblidhen ose dhe mendimeve që do të ndërmerren nga demokratë apo qytetarë. PD ka bërë hapa përpara në procesin e zgjedhjes së kandidatëve për ‘lokalet’ 2027.
Unë vij si deputet nga listat e hapura të qarkut të Lezhës. I jam falënderues të gjithë qytetarëve që më votuan që të jem pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Mua më janë ngarkuar shumë punë dhe jam përpjekur t’i përmbush ato. Padiskutim, ka një pëlqyeshmëri në raport me emrin tim për të qenë kandidat në Bashkinë e Lezhës, edhe sepse kam qenë gjithmonë pranë qytetarëve”, u shpreh Gjin Gjoni.
Ai kujtoi gjithashtu angazhimin e tij në mbështetje të qytetarëve dhe studentëve, duke përmendur protestat studentore, ku tha se kishte qenë i pranishëm në terren, duke asistuar protestuesit dhe duke ndihmuar të plagosurit që përfundonin në spitale.
Gjoni theksoi se gjatë angazhimit të tij politik ka pasur komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe strukturat e PD-së në Lezhë, ndërsa nuk ka ngurruar të shprehë edhe kritikat e tij ndaj PD-së dhe qeverisjes. Sipas tij, kandidimi nuk është një vendim individual që mund të merret pa marrë parasysh qëndrimin e demokratëve dhe procesin e brendshëm të partisë.
“Nuk është dëshira ime të kandidoj për kryetar bashkie në Lezhë, por ka një dëshirë të bazës së PD-së në Lezhë, por edhe njerëzve të pavarur apo njerëzve që kanë qenë te PS-ja dhe kanë parë diçka të veçantë tek profili im. Unë do të marr një vendim. Politikanët gjithmonë do të duhet të sakrifikojnë për të mirën e qytetarëve”, deklaroi deputeti.
Ai shtoi se mandati i deputetit është një privilegj, por kjo nuk e përjashton detyrimin për të dhënë kontribut edhe në zgjedhjet vendore. Sipas Gjonit, gara për Bashkinë e Lezhës duhet parë në një këndvështrim më të gjerë politik, pasi rezultati i zgjedhjeve lokale do të ndikojë edhe në pozicionimin e PD për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Deputeti i PD-së e konsideroi procesin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027 tepër të rëndësishëm për forcimin e strukturave të opozitës në terren, duke nënvizuar se objektivi nuk duhet të jetë suksesi individual i një kandidati, por një rezultat politik më i gjerë.
“Fakti që unë jam deputet është një privilegj, që shumë pak njerëz e kanë. Por edhe në zgjedhjet lokale secili prej nesh duhet që të japë kontributin e tij. Kjo, sepse pas lokaleve vijnë zgjedhjet e përgjithshme dhe këto zgjedhje janë tepër të rëndësishme për të përcaktuar bazat e së ardhmes.
Qëllimi kryesor nuk është fitorja e Gjin Gjonit të një bashkie apo personi tjetër, por qëllimi është ikja e Ramës nga pushteti, që është problemi kryesor për vendin”, u shpreh Gjoni.
