SPAK zbarkon në Ministrinë e Financave, merr në pyetje sekretarin e Përgjithshëm
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë në pyetje sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Gentian Keri, në kuadër të hetimeve që lidhen me çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Keri është thirrur nga një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), për të dhënë shpjegime mbi procedurat e ndjekura nga institucioni që ai përfaqëson. Gjatë marrjes në pyetje, sekretari i Përgjithshëm ka deklaruar se veprimet e tij kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Një nga çështjet për të cilat është pyetur lidhet edhe me pretendimet e një drejtoreshe të degës së Thesarit, e cila gjatë dëshmisë së saj në SPAK ka deklaruar se është kërcënuar nga Keri.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave i ka mohuar këto pretendime. Sipas versionit të tij, nuk ka pasur kërcënim ndaj zyrtares, por vetëm një tërheqje vëmendjeje, pasi, sipas tij, ajo nuk kishte zbatuar ligjin.
Hetimi lidhet me një kallëzim të depozituar në SPAK gjatë muajit shtator, ku në fokus është mënyra e trajtimit të çështjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Përveç Gentian Kerit, në kallëzim rezulton i përfshirë edhe ministri i Financave, Petrit Malaj. Deri më tani nuk ka një njoftim se kur ky i fundit do të thirret nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme për të dhënë shpjegimet e tij.
Pritet që hetimet të zbardhin përgjegjësitë e zyrtarëve të përfshirë dhe rrethanat e procedurave që janë ndjekur nga Ministria e Financave në lidhje me këtë çështje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



