Kosova U21 ka zhvilluar sonte stërvitjen e parë në Kampin Nacional në Hajvali, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen miqësore kundër Luksemburgut U21, e cila do të zhvillohet të hënën, më 16 nëntor, nga ora 16:00.
Në këtë grumbullim të Kombëtares U21 janë përfshirë edhe disa emra të rinj, si: Gentrit Jaha, Leart Salihu, Teo Jashari, Demir Xhemalija, Florent Hajdari, Engjull Krasniqi, Eronis Haxhiu, Leonardo Maksutaj, Aurel Limanu dhe Amar Demolli.
Një nga lajmet më të mira të këtij grumbullimi është rikthimi i Eliot Bujupit, i cili pas 10 muajsh mungesë për shkak të lëndimit, është sërish në dispozicion të ekipit.
Bujupi u shpreh i lumtur për rikthimin, duke theksuar se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe se integrimi me lojtarët e rinj po shkon mjaft mirë. Ai vlerësoi kundërshtarin e radhës, Luksemburgun, si një ekip shumë të mirë, ndaj të cilit Kosova duhet të japë maksimumin. Për të, rikthimi me fanellën e Kosovës është një krenari e veçantë, ndërsa tashmë ndihet i gatshëm për sfidën e së hënës.
Ndërkohë, mesfushori Demir Xhemalija, i cili është një nga emrat e rinj në këtë grumbullim, e cilësoi si realizim të një ëndrre mundësinë për ta veshur fanellën e Kosovës U21. Ai theksoi se, ndonëse bëhet fjalë për një ndeshje miqësore, skuadra do të japë maksimumin. Xhemalija shtoi se, duke qenë një grup me shumë lojtarë të rinj, deri të hënën do të kenë kohë të njihen më mirë me njëri-tjetrin dhe të krijojnë edhe më shumë harmoni brenda ekipit.
Përzgjedhësi i Kosovës U21, Hekuran Kryeziu, e vlerësoi këtë grumbullim si fillimin e një faze të re për ekipin, me ndryshime në përbërje dhe afrime të reja, përfshirë futbollistë që vijnë nga Kombëtarja U19. Ai theksoi se skuadrës i duhet ende pak kohë për t’u konsoliduar, por se deri më tani është një grumbullim i mirë.
Kryeziu foli edhe për kundërshtarin, duke kujtuar se Kosova është përballur me Luksemburgun edhe në muajin qershor. Sipas tij, edhe kundërshtari ka kaluar nëpër ndryshime të gjeneratës, ndërsa ndeshja e tyre ndaj Shqipërisë pritet t’i ndihmojë stafit teknik të ketë më shumë informacione për përgatitjen e kësaj miqësoreje.
Kosova U21 do të vazhdojë përgatitjet në ditët në vijim, me synimin që të jetë sa më e gatshme për sfidën e së hënës në stadiumin “Fadil Vokrri”.
