Spahiu: Kujdesi shëndetësor në banesë do të shtrihet në të gjitha qendrat shëndetësore në vend

Shëndet | 1 minutë më parë

Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka bërë të ditur se një nga prioritetet e sistemit shëndetësor është zgjerimi i shërbimit shëndetësor në banesë, me synimin që kjo formë kujdesi të përfshihet në të gjitha qendrat shëndetësore në Shqipëri. Përmes një reagimi, Spahiu theksoi se shërbimet shëndetësore duhet të afrohen sa më shumë me qytetarët, veçanërisht me ata që për arsye të ndryshme nuk kanë mundësi të paraqiten pranë qendrave shëndetësore.

“Kur qytetari nuk mund të shkojë te shërbimi shëndetësor, është shërbimi që duhet të shkojë tek ai!”, u shpreh ministrja.

Ajo bëri të ditur se angazhimi i institucioneve është integrimi dhe financimi i kujdesit shëndetësor në banesë si pjesë e kujdesit shëndetësor parësor, me synimin për ta shtrirë këtë shërbim në 100% të qendrave shëndetësore në vend.

“Ky është angazhimi ynë: integrimi dhe financimi i kujdesit në banesë si pjesë e kujdesit shëndetësor parësor, me synimin për ta shtrirë në 100% të qendrave shëndetësore në vend”, deklaroi Spahiu.

Ministrja u ndal edhe te rezultatet e projektit 12-vjeçar “Shëndet për të Gjithë” (HAP), i cili po përmbyllet me mbështetjen e Qeverisë Zvicerane. Sipas saj, gjatë zbatimit të projektit janë mbështetur 208 qendra shëndetësore, ndërsa 31 objekte janë rehabilituar ose rindërtuar. Nga këto ndërhyrje kanë përfituar mbi 241 mijë banorë, ndërsa janë trajnuar 2,419 mjekë dhe infermierë.

“Mirënjohje të gjithë profesionistëve dhe partnerëve për kontributin në forcimin e kujdesit parësor dhe afrimin e shërbimeve shëndetësore me qytetarët”, nënvizoi ministrja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme