Fundi tragjik i 13-vjeçares së zhdukur në Berlin, gjendet e lidhur në një shtëpi të braktisur, pranë saj 22-vjeçari i plagosur
Kërkimet për 13-vjeçaren Lisa T., e cila u zhduk mëngjesin e 3 nëntorit teksa po shkonte në shkollë në Berlin, kanë përfunduar në mënyrë tragjike. Pesë ditë pas zhdukjes, të dielën më 8 nëntor, trupi i saj u gjet në një banesë të braktisur në Bad Freienwalde, rreth 50 kilometra larg kryeqytetit gjerman. Sipas mediave gjermane, vajza u gjet e pajetë dhe e lidhur, ndërsa pranë saj ndodhej një 22-vjeçar me plagë të rënda.
Ngjarja u zbulua pasi një banor i zonës njoftoi policinë për një hyrje të paligjshme në një shtëpi që kishte vite pa banorë. Kur efektivët mbërritën dhe hynë në ndërtesë, dëgjuan një të shtënë arme. Brenda gjetën trupin e vajzës dhe të riun e plagosur rëndë. Sipas hetimeve paraprake, 22-vjeçari dyshohet se qëlloi veten në kokë në momentin kur mbërriti policia. Ai ndërroi jetë mëngjesin e së mërkurës, më 11 nëntor, në spital.
Lisa ishte larguar nga banesa e familjes në lagjen Marzahn të Berlinit mëngjesin e 3 nëntorit, për të shkuar në shkollë. Gjatë rrugës, ajo shkëmbente mesazhe me një shoqe, por komunikimi u ndërpre papritur dhe vajza nuk u përgjigj më. Ajo nuk arriti kurrë në shkollë dhe nuk u gjet asnjë gjurmë e saj për pesë ditë, pavarësisht kërkimeve intensive të qindra efektivëve, qenve të gjurmimit, helikopterëve dhe një droni nënujor.
22-vjeçari, shtetas gjerman, banonte me prindërit në të njëjtën lagje me vajzën, më pak se 800 metra larg banesës së saj. Sipas mediave, ai kishte njohuri për zonën dhe kishte qenë më parë nën hetim nga autoritetet, që prej janarit 2025, për dyshime lidhur me sigurimin dhe posedimin e materialeve të abuzimit seksual të të miturve. Ende nuk është konfirmuar nëse ai dhe 13-vjeçarja njiheshin personalisht.
Autopsia konfirmoi identitetin e vajzës, por nuk arriti të përcaktojë shkakun e vdekjes. Ekspertiza mjekoligjore tregoi se ajo kishte ndërruar jetë disa kohë përpara se të zbulohej trupi. Ndërkohë, sipas gazetës Bild, banorë të zonës kanë deklaruar se gjatë ditëve të mëparshme kishin dëgjuar britma që vinin nga shtëpia e braktisur. Hetuesit po përpiqen të zbardhin rrethanat e plota të ngjarjes, kohën dhe mënyrën e vrasjes, si dhe nëse në krim ka pasur persona të tjerë të përfshirë.



