Studenti Klevin Metaj, i cili u arrestua në ditët e para të protestës studentore në Tiranë, nnuk do të qëndrojë më në arrest shtëpie. Gjykata e Apelit ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij, duke e zëvendësuar atë me detyrimin për t’u paraqitur një herë në muaj pranë organit përkatës.
Vendimi vjen pas ankimit të bërë nga mbrojtja e studentit. Në shkallën e parë, ndaj Metajt ishte caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Lajmi është bërë publik nga avokati Gentian Sejrani, i cili ka njoftuar edhe një zhvillim tjetër lidhur me çështjen. Sipas tij, është regjistruar kallëzimi penal ndaj efektivëve të Policisë së Shtetit, për mënyrën se si është trajtuar studenti gjatë shoqërimit dhe ndalimit të tij.
Avokati e cilëson këtë trajtim si degradues dhe çnjerëzor, ndërsa tashmë çështja ndaj punonjësve të policisë do të ndiqet përmes procedurave përkatëse ligjore.