Deputeti i Lidhjes Shqiptare, Elmi Aziri, ka deklaruar në një postim në Facebook se Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës ka punësuar 80 persona, por asnjëri prej tyre nuk është shqiptar.
Sipas Azirit, kjo shifër nuk përbën vetëm një të dhënë për punësimin, por tregon mungesë shqetësuese të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në një institucion publik.
Të lidhura
None found
Ai thekson se Kumanova është qytet multietnik dhe se shqiptarët zënë një vend të rëndësishëm në jetën demografike, shoqërore dhe ekonomike të saj. Për këtë arsye, sipas deputetit, është e papranueshme që përbërja e stafit të një institucioni që u shërben të gjithë qytetarëve të mos pasqyrojë këtë realitet. Aziri shprehet se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat nuk është privilegj, favor politik apo çështje që varet nga dëshira e drejtuesve, por parim kushtetues dhe detyrim i institucioneve.
Deputeti kërkon të dijë si ka ndodhur që në 80 punësime të mos jetë përfshirë asnjë shqiptar, çfarë kriteresh dhe procedurash janë ndjekur, nëse është zbatuar parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe kush mban përgjegjësi për këtë gjendje.
Aziri shton se qytetarët shqiptarë nuk kërkojnë trajtim të privilegjuar, por barazi, dinjitet dhe mundësi të njëjta. Ai nënvizon se institucionet publike u përkasin të gjithë qytetarëve dhe se heshtja nuk e zgjidh situatën. Sipas tij, nevojiten transparencë, përgjegjësi institucionale dhe hapa konkretë për të korrigjuar këtë disproporcion, pasi barazia dëshmohet nga përfaqësimi real në institucione, jo nga deklaratat politike.






