Gjermania mund të bëjë një hap historik duke zgjedhur për herë të parë një grua në postin e presidentes. Në qendër të vëmendjes është Ilse Aigner, 61-vjeçarja nga Bavaria, e cila ka tërhequr interesin e mediave për rrugëtimin e saj të pazakontë, nga industria e helikopterëve deri në majat e politikës gjermane.
Ndryshe nga shumë politikanë të tjerë, Aigner nuk ka një diplomë universitare. Ajo është kualifikuar në inxhinieri elektrike dhe ka punuar në prodhimin e helikopterëve përpara se të niste karrierën politike.
Me një përvojë prej rreth tri dekadash në politikë, Aigner ka qenë deputete në Bundestag dhe ministre e Bujqësisë në qeverinë e Angela Merkel. Kandidatura e saj ka marrë mbështetje nga disa prej forcave kryesore politike gjermane.
Por pas suksesit politik fshihet edhe një histori personale me sfida të mëdha. Aigner ka kaluar dy sëmundje të rënda tumorale, ndërsa në fillimet e karrierës iu pengua kandidimi për kryetare bashkie për shkak se nuk ishte e martuar.
Pavarësisht karrierës së gjatë, ajo vazhdon të jetojë në qytetin e saj të lindjes, Feldkirchen-Westerham, ku njihet për jetën e thjeshtë dhe lidhjen e ngushtë me komunitetin. Banorët e quajnë me përkëdheli “Ilse-ja jonë”.
Mbështetja për kandidaturën e saj ka shkaktuar reagime të shumta, madje një moderator i njohur gjerman ka bërë tatuazh emrin e saj në krah, si shenjë admirimi.
Nëse zgjidhet, Ilse Aigner do të pasojë Frank-Walter Steinmeier dhe do të bëhet gruaja e parë në historinë e Gjermanisë që mban postin e presidentes, duke thyer një traditë të gjatë të drejtimit të këtij institucioni vetëm nga burrat.
