Erërat e fuqishme në Prizren shkaktojnë dëme në bletari
Erërat e fuqishme që kanë përfshirë Kosovën kanë shkaktuar dëme materiale edhe në bletishten e asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Prizren, Petrit Hoxhaj.
Hoxhaj, përmes dy postimeve në Facebook, ka bërë të ditur se edhe vetë është prekur nga dëmet e shkaktuara nga erërat, ndërsa ka shprehur solidaritet me fermerët e tjerë të dëmtuar.
Ai ka publikuar pamje nga bletishtja e tij, duke thënë se është e dhimbshme të shohësh se si puna, mundi dhe investimi mund të dëmtohen brenda pak çastesh.
“Është e dhimbshme të shohësh se si mundi, puna dhe investimi dëmtohen brenda pak çastesh. Por, me fuqinë e Zotit askush nuk mund të shtyhet! E rëndësishme është shëndeti dhe jeta, ndërsa dëmet materiale, me punë e përkushtim, do t’i rikuperojmë”, ka shkruar ai.
Në postimin tjetër, Hoxhaj ka shprehur keqardhje për të gjithë fermerët që kanë pësuar dëme në stalla, bletari, sera dhe prodhime bujqësore.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të dalin në terren, të evidentojnë dëmet dhe të ofrojnë mbështetje financiare për fermerët e prekur.
“U bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që të dalin në terren, të evidentojnë dëmet dhe t’u ofrojnë fermerëve mbështetje financiare, sado modeste qoftë ajo. Fermerët tanë meritojnë përkrahje, sidomos në ditë të vështira si këto!”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se, duke qenë vetë njëri nga fermerët e dëmtuar, e kupton shqetësimin dhe humbjet me të cilat po përballen fermerët e tjerë. /Telegrafi/





























