Qendra Shëndetësore e Torovicës në Lezhë, e cila u shërben rreth 1 mijë banorëve është tërësisht e amortizuar, me lagështi në mure, suva të rënë.

Pa kushtet minimale higjieno-sanitare për ofrimin e shërbimit shëndetësor, puna është e vështirë dhe për personelin.

Banorët thonë se kjo situatë vijon prej vitesh dhe e konsiderojnë të papranueshme pasi  në vend që të marrin shërbim, rrezikojnë të përballen me infeksione.

Vijmë të marrim shërbim, por marrim infeksione, nuk është normale”, tha një banor.

“Vetëm qendër shëndetësore nuk mund ti thuash. Këtu vjen doktori rri gjysmë ore dhe ikën, infermierët s’kanë çfarë të bëjnë”, u shpreh një tjetër.

Sipas burimeve, Qendra Shëndetësore e Torovicës nuk është përfshirë në planin e investimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi rikonstruksioni i saj është marrë përsipër nga Bashkia Lezhë, përmes donacioneve.

Rreth dy vite më parë, Ndërmarrja e Shërbimeve Publike ndërhyri në riparimin e soletës së godinës, por kjo nuk solli zgjidhje për problematikat e tjera të godinës.