Muaj të tërë me zjarr në deponinë e Pejës, KRM “Ambienti” kërkon mobilizim urgjent institucional

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti” në Pejë u ka bërë thirrje institucioneve të nivelit qendror dhe lokal që të mobilizohen dhe të ofrojnë mbështetje urgjente për menaxhimin e zjarrit në deponinë e mbeturinave.
Në një njoftim publik, KRM “Ambienti” ka vlerësuar se situata paraqet rrezik potencial për mjedisin, shëndetin publik dhe sigurinë e banorëve të zonës përreth.
Kompania ka bërë të ditur se, pavarësisht angazhimit të ekipeve përgjegjëse dhe veprimeve të ndërmarra, përmasat dhe serioziteti i situatës kërkojnë një mobilizim më të gjerë institucional.
Në këtë drejtim, u është bërë thirrje Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës, Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Komunës së Pejës dhe komunave përreth, si dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.
Mbështetja e kërkuar përfshin kapacitete njerëzore, makineri pune, mjete transportuese, cisterna uji, pajisje teknike dhe materiale mbuluese, me qëllim të lokalizimit dhe shuarjes së zjarrit dhe parandalimit të përhapjes së mëtejshme të pasojave.
Ndërkaq, kompania ka apeluar te banorët e zonës që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin afrimin pranë deponisë dhe të kufizojnë ekspozimin ndaj tymit sa herë që është e mundur.
Në veçanti, është kërkuar kujdes për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.
“Kjo nuk është vetëm çështje e një ndërmarrjeje, por një çështje me interes të përgjithshëm, që kërkon përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët institucional”, thuhet në njoftimin e KRM “Ambienti”.
Kompania ka theksuar se mbetet e angazhuar për ndërmarrjen e veprimeve brenda kapaciteteve që disponon, duke kërkuar njëkohësisht mbështetjen e institucioneve dhe akterëve të tjerë relevantë. /Telegrafi/






































