Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj mazhorancës për mënyrën se si po zhvillohet procesi i Reformës Zgjedhore. Gjatë mbledhjes së grupit Parlamentar të PD-së, ai akuzoi Damian Gjiknurin se po përpiqet të përcaktojë në mënyrë të njëanshme agjendën e komisionit bipartizan, duke shkelur, sipas tij, vendimin e Parlamentit. Berisha theksoi se komisioni është ngritur mbi parimin e konsensusit, ku asnjëra palë nuk mund të marrë vendime pa miratimin e tjetrës.
“Përcaktimi i njëanshëm i agjendës është i paligjshëm dhe bie në kundërshtim me vendimin e Parlamentit. Por gangsterë dhe individë të inkriminuar nuk kanë asnjë parim dhe ne jemi të qartë për këtë”, deklaroi Berisha.
Një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së Berishës ishte bashkimi i opozitës rreth reformës zgjedhore. Ai ftoi të gjitha partitë opozitare të përfshihen në diskutime, duke deklaruar se PD është e gatshme të vendosë interesin e përbashkët mbi atë partiak.
“Duhet të bashkohemi për këtë reformë. I ftoj partitë opozitare. Jemi të gatshëm që të marrin parasysh të gjitha shqetësimet e tyre. Do të vëmë interesin e bashkimit të opozitës të parin, jo të PD”, tha Berisha.
Në përfundim, ai nënvizoi se reforma duhet të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit dhe ato të mëparshme, ndërsa rikonfirmoi qëndrimin e Partisë Demokratike në favor të listave të hapura.
