Një trupë arbitrimi nga Kroacia do të vendosë drejtësi në përballjen vendimtare të kuqezinjve në Ligën e Kombeve. Igor Pajač është përzgjedhur si arbitër kryesor, ndërsa Shqipërisë i mjafton edhe një barazim për të siguruar vendin e parë në grup.
UEFA ka zyrtarizuar emrat e arbitrave që do të drejtojnë ndeshjen mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë, e vlefshme për raundin e fundit të Grupit 1 në Ligën C të Nations League.
Sfida, e cila do të zhvillohet të dielën në Budapest të Hungarisë, në fushë asnjanëse, do të gjykohet nga një trupë arbitrimi kroate. Në krye të saj do të jetë Igor Pajač, i cili do të ndihmohet nga bashkëkombësit Bojan Zobenica dhe Ivan Mihalj.
Detyrën e arbitrit të katërt do ta kryejë Patrik Pavlešić, ndërsa në dhomën e sistemit VAR do të jenë Mario Zebec dhe Fran Jović. Të gjithë anëtarët e trupës vijnë nga Kroacia.
Igor Pajač është një arbitër me përvojë në arenën ndërkombëtare. 41-vjeçari nga Zagrebi ka drejtuar edhe takime të rëndësishme në kompeticionet europiane gjatë këtij sezoni, përfshirë përballjen mes Lensit dhe Sportingut të Lisbonës në Champions League.
Ndërkohë, vëmendja e kuqezinjve është e përqendruar te objektivi kryesor: mbyllja e grupit në vendin e parë. Shqipëria ndodhet dy pikë përpara Bjellorusisë dhe ka avantazhin se nuk është e detyruar të fitojë për të ruajtur kreun.
Një barazim në Budapest do të ishte i mjaftueshëm për skuadrën e drejtuar nga Rolando Maran, e cila kërkon ta përmbyllë me sukses këtë edicion të Ligës së Kombeve dhe të sigurojë ngjitjen në Ligën B.
