Mesazhe të rreme, që pretendojnë se dërgohen në emër të Bankës së Shqipërisë, po u mbërrijnë qytetarëve. Përmes tyre, personat njoftohen se llogaria e tyre bankare është pezulluar dhe u kërkohet të klikojnë në një lidhje për të përditësuar të dhënat bankare.
Banka e Shqipërisë paralajmëron se bëhet fjalë për një skemë mashtruese, e cila synon vjedhjen e të dhënave personale dhe bankare të qytetarëve.
Institucioni u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhjet e dërguara dhe të mos u përgjigjen këtyre mesazheve. Gjithashtu, ata nuk duhet të japin të dhënat e kartave bankare, fjalëkalimet, kodet PIN apo kodet e verifikimit.
Në rast se dikush ka ndarë të dhënat e tij ose konstaton veprime të paautorizuara në llogarinë bankare, duhet të kontaktojë menjëherë bankën përmes kanaleve zyrtare.
Banka e Shqipërisë u kërkon qytetarëve që mesazhe të tilla mashtruese t’i raportojnë pranë organeve kompetente.