Hetimet për dosjen e 2 800 tonëve mbetje të rrezikshme të kompanisë turke Kurum janë drejt fundit. Prokuroria e Durrësit konfirmon, për TCh, se 5 punonjës të Doganës dhe një agjent doganor janë dërguar për gjykim, ndërsa për 27 personat e tjerë hetimet ndodhen në fazën përfundimtare. Gjashtë të pandehurit dyshohet se kanë pasur rol në procedurat doganore dhe dokumentacionin e eksportimit të ngarkesës drejt Tajlandës. Në shkurt, Gjykata caktoi ndaj tyre masa të ndryshme sigurie, nga arresti në burg dhe arresti në shtëpi, deri te detyrimi për paraqitje. Çështja lidhet me 102 kontejnerë me rreth 2 816 tonë mbetje, të nisura drejt Tajlandës në vitin 2024, por të kthyera në Portin e Durrësit pas refuzimit nga autoritetet tajlandeze. Ekspertiza laboratorike në Itali konfirmoi se materiali ishte pluhur nga filtrat e furrave elektrike të çelikut, i klasifikuar si mbetje e rrezikshme.