Fronti opozitar kërkon të rrëzojë Ramën, por kush e ka projektin për Tiranën?
Tirana përtej bashkimit kundër Ramës është prova për ndërtimin e një alternative!
Në debatin që po zhvillohet për krijimin e një fronti opozitar dhe konsensusit për një kandidat të përbashkët për Bashkinë e Tiranës, ekziston rreziku që vëmendja të përqendrohet pothuajse tërësisht tek emri i kandidatit, tek mbështetja që ai mund të marrë nga partitë politike dhe te aftësia e tij për të mbledhur votat kundër Edi Ramës. Si çdo këndvështrim afatshkurtër kjo do të ishte një mënyrë e kufizuar, madje e gabuar, për ta parë rëndësinë politike të kësaj gare.
Fitorja në bashkinë e Tiranës nuk duhet të jetë thjesht një objektiv elektoral. Ajo duhet të jetë një mundësi për të ndërtuar dhe provuar një model tjetër qeverisjeje. Një model që ka mundësi të dëshmojë se nuk kemi të bëjmë vetëm me një bashkim forcash kundër pushtetit ekzistues, por me një alternativë të aftë për të qeverisur mbi bazën e parimeve, institucioneve dhe përgjegjësisë demokratike.
Të bashkohesh kundër një autokrati është relativisht e lehtë, ndërsa të biesh dakord se si duhet qeverisur edhe të jesh i aftë ta bësh është shumë më e vështirë. Historia e koalicioneve opozitare në vende të ndryshme ka treguar se kundërshtimi ndaj pushtetit mund të krijojë një bashkim të përkohshëm, por jo domosdoshmërisht një projekt të përbashkët politik. Kur i vetmi element bashkues është kundërshtari, dallimet dhe interesat e ndryshme rikthehen në skenë sapo shfaqet mundësia për të qeverisur.
Qytetarët kanë nevojë për një qeverisje vendore që mbështetet në autonominë institucionale, transparencën buxhetore, llogaridhënien, pjesëmarrjen qytetare, mbrojtjen e hapësirave publike dhe bashkëpunimin me shoqërinë civile e komunitetet lokale. Me pak fjalë, duhet krijuar një model që krijon mekanizma që e bëjnë pushtetin të kontrollueshëm dhe vendimmarrjen të hapur, duke i dhënë përparësi interesit publik ndaj interesave të grupeve të lidhura me politikën dhe një grup sipërmarrësish.
Për këtë nuk mjafton një emër, sado i pëlqyeshëm të jetë ai, kjo kërkon një marrëveshje të qartë politike mes forcave që mund të përfshihen në frontin opozitar. Ato duhet të dakordësojnë jo vetëm kandidatin, por edhe një kontratë publike qeverisjeje: cilat janë prioritetet, cilat janë standardet e transparencës, si do të garantohet pavarësia e administratës dhe si do të shmanget kthimi i bashkisë në një instrument të interesave partiake.
Në këtë kuptim, promovimi i parakohshëm i çdo emri, pa zhvilluar më parë një debat serioz mbi modelin që ai do të përfaqësojë, është një gabim politik. Një emër mund të prodhojë vëmendje dhe të krijojë pritshmëri, por asnjë individ nuk mund të zëvendësojë një projekt qeverisjeje. Konsensusi mbi kandidatin nuk mund t’i paraprijë apo më keq nuk mund të zëvendësojë konsensusin mbi mënyrën se si do të ushtrohet pushteti.
Dhe këtu qëndron paqartësia që duhet adresuar sot nga fronti opozitar, a po kërkohet një fitore në Tiranë thjesht për të ndryshuar raportin e forcave politike, apo kjo fitore shihet si një mundësi për të dëshmuar se fronti opozitar është i aftë të ndërtojë një mënyrë tjetër qeverisjeje?
Këto dy objektiva nuk janë të papajtueshme, por as nuk janë e njëjta gjë. E para mund të prodhojë një fitore elektorale. E dyta kërkon vizion, marrëveshje politike, institucione funksionale dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Nëse po kërkoni vetëm të fitoni Tiranën, vazhdoni kërkoni ndër heronjtë e kavanozave. Nëse kërkoni të ndërtoni një alternativë, u duhet një projekt, marrëveshje e cila në rast fitoreje do shndëronte bashkinë e Tiranës në modelin e ri qeverisës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



