Devolli Corporation ka zyrtarizuar një partneritet strategjik me grupin ndërkombëtar të hotelerisë IHG Hotels & Resorts për zhvillimin e një resorti luksoz me pesë yje në Tivat, në Mal të Zi.
Projekti, i cili do të mbajë emrin InterContinental Resort Tivat, synon të krijojë një destinacion të ri të turizmit elitar në Gjirin e Kotorrit, duke ndërthurur hotelerinë luksoze me rezidencat private dhe shërbimet ekskluzive.
Sipas marrëveshjes, kompleksi do të zhvillohet nën markën prestigjioze InterContinental, ndërsa IHG Hotels & Resorts do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e hotelit përmes një kontrate 32-vjeçare. Hapja e resortit është planifikuar për vitin 2030.
Projekti do të ndërtohet në një sipërfaqe toke prej 42,207 metrash katrorë, me një sipërfaqe totale ndërtimore prej 57,534 metrash katrorë. Kompleksi do të përbëhet nga tetë objekte, ku përfshihen hoteli, rezidencat private dhe hapësirat e tjera shërbyese, si dhe 277 vende parkimi nëntokësor.
Në qendër të resortit do të jetë hoteli me pesë yje InterContinental Tivat, i cili do të ketë 159 dhoma dhe suita me pamje panoramike nga Gjiri i Kotorrit.
Një pjesë e rëndësishme e investimit janë edhe 225 rezidencat private, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 18 mijë metrash katrorë. Ato do të ndërtohen në tri faza dhe do të ofrojnë apartamente me një, dy dhe tre dhoma gjumi, si dhe njësi dupleks me tarraca private dhe pamje nga deti.
Resorti do të përfshijë gjithashtu një sërë shërbimesh dhe hapësirash rekreative, mes të cilave spa me sauna dhe pishinë të brendshme, pishina të jashtme dhe një pishinë në çati, restorante, bare, klub tenisi, kopshte dhe ambiente të dedikuara për relaksim e argëtim.
Pozicionimi i projektit konsiderohet një nga avantazhet kryesore të tij. InterContinental Resort Tivat do të jetë pranë Porto Montenegro, një prej marinave më të njohura për jahte në Adriatik, si dhe në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Tivatit. Gjithashtu, kompleksi ndodhet pranë qytetit historik të Kotorrit, i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Hylko Versteeg, Drejtor i Zhvillimit për Evropën Jugore në IHG Hotels & Resorts, u shpreh se Gjiri i Kotorrit është një destinacion me potencial të madh për turizmin e nivelit të lartë dhe se bashkëpunimi me Devolli Corporation do të sjellë në rajon përvojën mbi 80-vjeçare të markës InterContinental.
Ndërsa Adriatik Kelmendi, anëtar i Bordit të Devolli Corporation, e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm në strategjinë e zgjerimit ndërkombëtar të kompanisë.
Sipas tij, investimi nuk synon vetëm ndërtimin e një hoteli luksoz, por krijimin e një destinacioni që ndërthur hotelerinë, rezidencat ekskluzive dhe një koncept të ri jetese në bregdetin e Adriatikut.
Përveç ndikimit në sektorin e turizmit, projekti pritet të krijojë vende të shumta pune gjatë fazës së ndërtimit dhe mundësi punësimi edhe pas përfundimit të tij.
Partneriteti me IHG Hotels & Resorts shënon kështu një tjetër zgjerim të Devolli Corporation në tregun ndërkombëtar të pasurive të paluajtshme dhe turizmit, përmes një investimi që synon të pozicionojë Tivat-in si një destinacion të rëndësishëm të hotelerisë luksoze në Adriatik.