Bizneset kanë vende të lira pune, por nuk po gjejnë punëtorë dhe madje edhe ata aktualisht në treg kanë mangësi të mëdha njohurish dhe aftësish. Sipas analizës kombëtare të aftësive për vitin 2025,të publikuar nga kombet e bashkuara, 6 në 10 ndërmarrje në Shqipëri ankohen për kualifikimin e pamjaftueshëm profesional të punonjësve.
Studimi bazohet në të dhënat dhe përvojën e 2,185 ndërmarrjeve, të cilat përfaqësojnë afro 54.000 biznese aktive dhe më shumë se 500.000 të punësuar në të gjithë vendin.
Sipas raportit, rreth 50.5% e bizneseve raportojnë mungesë të fuqisë punëtore ndërsa 49.7% shqetësohen për largimin dhe lëvizjen e shpeshtë të stafit. Vetëm gjatë një periudhe 12-mujore, 10.551 punonjës kanë dhënë dorëheqjen për të emigruar jashtë vendit.
Një prej punëdhënësve thotë se mungesa e stafit po vështirëson aktivitetin e biznesit, ndërsa largimi i punonjësve drejt emigracionit e bën edhe më të vështirë gjetjen e zëvendësuesve.
“Është shumë e vështirë të gjesh punonjës. unë kam një agjenci turistike. Ka punë por nuk ka punëtor. Edhe kur gjejmë punonjës ata qëndrojnë për një periudhë e më pas largohen sepse duan të ikin jashtë shtetit”- u shpreh një punëdhënës.
Ndërkohë nga ndërmarrjet që kanë tentuar të rekrutojnë gjatë vitit të fundit, 94.9% kanë hasur probleme për të plotësuar vendet vakante. Ndërkohë të paktën një vend të lirë pune kanë raportuar 31.7% e bizneseve.
Por edhe ata që janë në punë nuk i kanë gjithmonë aftësitë që kërkon pozicioni.
Sipas studimit, 43.5% e ndërmarrjeve evidentojnë mangësi në aftësitë e stafit ekzistues. Këto vështirësi prekin rreth 10.4% të fuqisë punëtore, ose afërsisht 52,366 punonjës.
Për sociologun Gëzim Tushi kjo sjellje vjen edhe si pasojë e mungesës së kushteve në punë.Tushi thekson se shpeshherë ekziston një mospërputhje mes kërkesave të larta të punëdhënësve ndaj stafit dhe kushteve që u ofrohen punonjësve.
"Ka një lloj diskordance midis kërkesave maksimale që kanë pronarët dhe në përgjithësi bizneset, që kërkojnë një performancë të shkëlqyer, një rendiment të lartë ndaj atyre që punësojnë, dhe nga ana tjetër ka një neglizhencë për të plotësuar këto kushte të punës dhe kushtet për hapësirën e punës. Të rinjtë janë të pakënaqur sepse nuk i gjejnë këto kushte humane, për të mos e pasur punën një barrë mbi ta,"- tha Tusha.
Përveç njohurive teknike, punëdhënësit ankohen edhe për mungesën e aftësive organizative, komunikimit dhe bashkëpunimit. Rreth 39.4% e ndërmarrjeve shprehin shqetësime për kulturën e punës, etikën dhe integritetin profesional.
Për sa u përket profesioneve, mungesat më të mëdha të aftësive evidentohen te shitësit në pakicë, me 6,601 punonjës, të ndjekur nga sektori i ndërtimit dhe mirëmbajtjes me 5,423 persona dhe industria përpunuese me 5,177 punonjës.
Probleme raportohen gjithashtu te teknikët, kamarierët, banakierët dhe punonjësit e kulinarisë. Sipas raportit, në kushtet kur bizneset nuk po gjejnë lehtësisht punonjës në tregun vendas rritet edhe prania e fuqisë punëtore të huaj.
Gjatë vitit 2024 u regjistruan 21,940 aplikime për leje qëndrimi në Shqipëri, 2.2% më shumë se një vit më parë. Më shumë se gjysma e tyre, konkretisht 54.3%, kishin si arsye punësimin.










Komente
Komento