Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs, duke kërkuar rritjen e dëmshpërblimit financiar për periudhën që ka qëndruar në paraburgim, përpara se të shpallej i pafajshëm për akuzat e korrupsionit lidhur me tenderat e ushqimeve në burgje.
Zoto kërkon rishikimin e vendimit të mëparshëm për kompensimin financiar, pasi vlerëson se shuma e njohur nga gjykata nuk është e mjaftueshme për periudhën e privimit të lirisë.
Ish-zyrtari u arrestua më 21 shkurt 2017, në kuadër të hetimeve për dyshimet mbi abuzimet me tenderat e furnizimit me ushqime në institucionet e vuajtjes së dënimit. Ai qëndroi në paraburgim deri më 19 shtator 2018, kur Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e shpalli të pafajshëm.
Në shkallën e parë, Zoto ishte dënuar me 5 vite burg për korrupsion pasiv. Vendimi ishte mbështetur kryesisht në dëshminë e ish-zëvendësit të tij, Iliaz Labi, i cili kishte bashkëpunuar me drejtësinë.
Gjatë hetimeve, Labi kishte deklaruar se kishte përfituar 2 milionë lekë nga bizneset pjesëmarrëse në tendera dhe se këto para ia kishte dorëzuar ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Megjithatë, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e shkallës së parë dhe vendosi pafajësinë e Zotos.
Pas këtij vendimi, ish-drejtori iu drejtua Gjykatës Administrative, duke kërkuar dëmshpërblim për kohën e kaluar në paraburgim. Në shkurt të vitit 2019, gjykata vendosi t’i njohë atij 1 milion e 725 mijë lekë kompensim, duke pranuar vetëm një pjesë të kërkesës.
Tashmë, përmes rekursit në Gjykatën e Lartë, Artur Zoto kërkon rishikimin e masës së dëmshpërblimit të përfituar.

