Një 30-vjeçar nga Thumana është arrestuar në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, pasi u kap duke mbajtur një pistoletë pa leje. Bëhet fjalë për Petrit Shimën, i cili u pikas nga policia teksa udhëtonte me taksi. Gjatë kontrollit fizik, efektivët i gjetën një armë zjarri të fshehur në brez, të cilën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Shima nuk është një emër i panjohur për policinë. Sipas informacioneve të raportuara, 30-vjeçari rezulton të jetë arrestuar edhe pesë herë të tjera, tri herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe dy herë për plagosje.
Në të njëjtin operacion u arrestua edhe shoku i tij, 25-vjeçari Redion Hymeri, i cili akuzohet për moskallëzim krimi.
Por situata nuk përfundoi me kapjen e armës. Pasi u shoqëruan në Komisariatin nr. 2, dy të rinjtë, të dyshuar se ndodheshin nën efektin e alkoolit, kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë gjatë kryerjes së veprimeve procedurale.
Përplasja ka vijuar edhe brenda ambienteve të komisariatit, ku Shima dhe Hymeri kanë dëmtuar dhomën e shoqërimit.
Kështu, përveç mbajtjes së armës pa leje dhe akuzave të tjera, dy të rinjtë do të përballen edhe me procedurat ligjore për kundërshtimin me dhunë të punonjësve të policisë dhe dëmtimin e ambienteve të komisariatit.