AKEP shpall konsultimin publik për dhënien e të drejtave të përdorimit në brezin 2100 MHz

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka hapur konsultimin publik për dhënien e të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 2100 MHz (1920–1935 MHz të çiftuar me 2110–2125 MHz)”.
Frekuencat në fjalë janë të lira pasi, në fillim të këtij viti operatori që i shfrytëzonte,
Vodafone Albania, nuk arriti të gjejë një marrëveshje me Qeverinë Shqiptare për çmimin e rinovimit të të drejtave të përdorimit.
Vodafone Albania i kishte fituar të drejtat e përdorimit të brezit në fjalë në vitin 2010, në vijim të tenderit të parë për licencën e teknologjisë celulare 3G në Shqipëri.
Ky ishte rasti i parë që një operator i shërbimeve celulare nuk përtëriti të drejtat e shfrytëzimit të një sasie domethënëse të spektrit, të cilat i kishte fituar në një procedurë të mëparshme konkurruese.
Dështimi i negoaciatave u zyrtarizua nga një vendim i muajit mars i Këshillit Drejtues të AKEP, për mosrinovimin e autorizimit individual përkatës.
Në vijim, në qershor të këtij viti, Vodafone Albania i drejtoi AKEP një shkresë në të cilën ka paraqitur shprehjen e interesit për pjesëmarrje në procedurat e ardhshme të dhënies së të drejtave të përdorimit të spektrit radiofrekuencor në brezin 2100 dhe 800 MHz.
Sipas ligjit, kur AKEP konsideron se interesi për një brez të caktuar frekuencash mund të tejkalojë disponueshmërinë e frekuencave në këtë brez dhe, për të siguruar përdorimin efikas të tyre, kryen një proces konsultimi publik me palët e interesuara për kushtet e përdorimit të këtij brezi frekuencash dhe procedurën që do të zbatohet për alokimin e tyre.
Dokumenti për konsultim publik propozon dhënien e një të drejte individuale përdorimi për një sasi spektri prej 2×15 MHz (FDD), konkretisht në brezat 1920–1935 MHz, të çiftuar me 2110–2125 MHz dhe përcakton çështjet kryesore për të cilat kërkohet mendimi i operatorëve dhe palëve të tjera të interesuara.
AKEP kërkon mendimet e operatorëve dhe të palëve të interesuara, ndër të tjera, lidhur me: vlerën ekonomike të së drejtës së përdorimit të 2×15 MHz; faktorët që duhet të merren në konsideratë në përcaktimin e vlerës së spektrit; mundësinë e zhvillimit të një procedure konkurruese multiband, duke përfshirë edhe brezin 800 MHz; kushtet dhe objektivat e mbulimit me shërbime; – kohëzgjatjen e vlefshmërisë së autorizimit individual; mënyrën e pagesës së vlerës të së drejtës së përdorimit dhe teknologjinë dhe mënyrën e shfrytëzimit të spektrit.
Procedura e Konsultimit Publik do të zhvillohet për një periudhë prej 30 ditësh kalendarike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









