Mbrëmja e fitores 2-0 ndaj Finlandës në “Air Albania” solli emocione në fushë dhe në tribuna, por edhe disa detaje që nuk kaluan pa u vënë re. Nga hapësirat bosh në stadium dhe gjendja e tapetit të blertë, te koreografitë e tifozëve dhe ceremonia e falënderimit për Armando Sadikun, atmosfera kishte disa momente të veçanta. Në fokus ishin edhe zhvillimet sportive, me kartonin e verdhë që i kushton Ylber Ramadanit sfidën ndaj Bjellorusisë dhe arritjet statistikore të Rei Manajt e Berat Gjimshitit. Në fund, kuqezinjtë festuan së bashku me tifozët, duke i dhënë një tjetër ngjyrim triumfit të rëndësishëm.
– Pavarësisht se FSHF kishte njoftuar për “Sold Out”, në tribuna të ndryshme kishte hapësira boshe.- Fusha e “Air Albania” priti mbrëmjen ndeshjen e dytë pas punimeve që iu nënshtrua. Megjithatë, gjendja e saj linte për të dëshiruar. Në shumë vende vihej re djegia e barit dhe fusha kishte marrë ngjyrë kafe.
– Para ndeshjes ishin njoftuar masa të shumta sigurie. Megjithatë, nuk pati kontrolle të shumta, siç ka ndodhur shpesh herë.- FSHF kishte përgatitur një koreografi para ndeshjes, ku tribuna ballore ishte mbushur me letra kuqezi.
– Para ndeshjes, Armando Sadiku pati një ceremoni falënderimi nga FSHF, teksa më pas u përshëndet me tifozët e pranishëm. Në 39 ndeshje të luajtura në 11 vite, ka shënuar 12 gola, mes tyre sidomos ato historike dhe emblematike (ndaj Armenisë në kualifikimin e parë europian apo si ndaj Rumanisë në fitoren e vetme që ende kemi në fazën e grupit në një Europian). Karriera e tij do të vijojë si drejtues në Zvicër te Bellinzona.
– “Tifozat Kuqezi” kishin menduar një koreografi të dedikuar për Erjon Vishkullin, i cili u plagos në protestat antiqeveritare. Në tribunën pas porte u hap një banderolë e madhe me dy sy, njëri prej të cilëve ishte i dëmtuar.- Në tribunën e dedikuar për tifozët e Finlandës kishte një numër të konsiderueshëm tifozësh.
– “Rama ik” dhe “Rama jep dorëheqjen” ishin koret që tifozët përsëritën disa herë në stadium.- Në përfundim të ndeshjes, skuadra u rreshtua para grupimit TKZ, duke festuar fitoren e arritur.-Shqipëria ka humbur një titullar të paprekshëm për duelin e ditës së diel ndaj Bjellorusisë. Bëhet fjalë për mesfushori Ylber Ramadani, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe nuk do të jetë i disponueshëm në transfertën delikate. Vlen të theksohet fakti se Ramadani u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 58-të, për një faull ndaj kundërshtarit. Vendin e Ramadanit në duelin ndaj Bjellorusisë pritet ta marrë Juljan Shehu.
-Ndeshja e djeshme ndaj Finlandës ishte e veçantë për Rei Manajn, i cili e nisi përsëri si titullar në radhët e kuqezinjve. Sulmuesi i Kombëtares regjistroi ndeshjen e tij të 50-të me fanellën e Shqipërisë, ku është që tani mes golashënuesve më të mirë të historisë së saj dhe lojtari i cili po ndjek rekordin e golave të Erjon Bogdanit. Ndërkaq, për Berat Gjimshitin ishte ndeshja e 78-të e tij me fanellën e Kombëtares. Kështu ai lë pas Klodian Duron me të cilin deri më sot ndante vendin e 5-të në renditjen e të gjitha kohëve me Kombëtaren dhe është vetëm një ndeshje larg vendit të katërt, që mbahet nga një tjetër ish-kapiten legjendar i kuqezinjve, Altin Lala.
