Projektligji për strehimin social, i cili synon t’u vijë në ndihmë rreth 7 mijë familjeve për të siguruar një banesë përmes kredive me interesa të ulëta, është miratuar në Komisionin parlamentar për Burimet Natyrore. Nisma parashikon ndryshime në skemën aktuale të strehimit, ndërsa mazhoranca ka propozuar që në kategoritë përfituese të përfshihen edhe familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore.
Gjatë diskutimeve, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi që mbështetja të shtrihet edhe te familjet e dëmtuara nga tërmeti, për të cilat procesi i rindërtimit ende nuk ka përfunduar. Sipas tij, fondet e papërdorura nga bashkitë mund të shërbejnë për financimin e këtij procesi. Balla shprehu gjithashtu keqardhjen për mungesën e një pjese të deputetëve të opozitës në mbledhje, duke theksuar rëndësinë e miratimit të një nisme që synon të lehtësojë sigurimin e banesave për familjet në nevojë.
Nga ana tjetër, deputeti socialist Pirro Vengu pranoi se mekanizmat e deritanishëm të strehimit social nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme. Ai vuri në dukje kontrastin mes numrit të banesave në treg dhe çmimeve të larta të shitjes e qirave, të cilat mbeten të papërballueshme për shumë qytetarë. Sipas Vengut, shteti duhet të marrë një rol më aktiv në krijimin e fondit të banesave, pasi skema e mëparshme, që parashikonte kontributin prej 3% nga ndërtuesit, nuk ka rezultuar mjaftueshëm efektive.
Diskutimet në komision u shoqëruan edhe me kritika nga opozita lidhur me rritjen e kostos së jetesës dhe vështirësitë që hasin veçanërisht të rinjtë për të blerë apo marrë me qira një apartament. Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, argumentoi se çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur shumë më shpejt sesa pagat, duke e cilësuar situatën në tregun imobiliar si shqetësuese. Sipas tij, ndërsa pagat janë rritur me një ritëm të caktuar, çmimet e apartamenteve kanë shënuar një rritje trefish më të lartë.
Muçi kritikoi gjithashtu zhvillimet në sektorin e ndërtimit, duke ngritur shqetësime për informalitetin dhe rrezikun e krijimit të një flluske ekonomike. Pavarësisht debateve dhe bojkotit të mbledhjes nga një pjesë e opozitës, projektligji mori miratimin në komision. Nisma do të shqyrtohet më tej në komisionet e tjera parlamentare, përpara se të kalojë për votimin përfundimtar në Kuvend.
