U dënua me 25 vite burg për një vrasje që nuk e kishte kryer, 64-vjeçarja lirohet pas gati 13 vitesh në burg Një nënë nga Cardiffi i Uellsit ka rrëfyer historinë tragjike të djalit të saj 13-vjeçar, i cili humbi jetën pasi simptomat e diabetit të tipit 1, që familja nuk e dinte se e kishte, u ngatërruan me ato të gripit.
Beth Reynolds, 47 vjeçe, e dërgoi djalin e saj Peter te mjeku më 31 dhjetor të vitit 2014, pasi ai kishte qenë i sëmurë për rreth dy javë dhe gjendja e tij nuk po përmirësohej. Mjekët konstatuan se i mituri kishte një infeksion në kraharor dhe i përshkruan antibiotikë. Megjithatë, brenda 24 orëve gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm.
Më 1 janar 2015, Beth telefonoi urgjencën. Një punonjës i parë i emergjencës mbërriti në shtëpi brenda pesë minutash dhe, pas kontrollit të shenjave jetësore dhe një analize të shpejtë të gjakut nga gishti, dyshoi se Peter vuante nga diabeti i tipit 1 dhe kishte zhvilluar ketoacidozë diabetike (DKA), një komplikacion që rrezikon jetën.
13-vjeçari u transportua me urgjencë në Spitalin Universitar të Uellsit, ku u shtrua në repartin e kujdesit të specializuar. Mjekët i thanë familjes se gjendja ishte shumë e rëndë dhe se organizmi i tij po hynte në një gjendje kolapsi.
Gjatë pesë ditëve në vijim, Peter pësoi arrest kardiak, u rikthye në jetë gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale, luftoi me disa infeksione dhe iu nënshtrua për një periudhë edhe dializës. Më 6 janar 2015, mjekët i komunikuan nënës se skaneri i trurit nuk tregonte më aktivitet dhe se nuk kishte asgjë tjetër që mund të bënin për ta shpëtuar. Beth dhe babai i djalit, Stuart, u detyruan t’i jepnin lamtumirën e fundit.
“E çuan me shtrat në një dhomë të veçantë në repartin e fëmijëve… pastaj u ngjitëm edhe ne në shtrat pranë tij. Qëndruam aty, ndërsa fikën aparaturën, dhe i treguam sa shumë e donim, sa shumë do të na mungonte dhe çfarë djali i mrekullueshëm ishte”, rrëfeu Beth, teksa kujtoi momentet e fundit me të birin.
Nëna tregon se, duke e parë sot situatën pas asaj që ndodhi, Peter kishte shfaqur të gjitha shenjat paralajmëruese të diabetit të tipit 1, por ato ishin interpretuar si pasoja të gjendjes gripale.
Simptomat njihen si katër T-të: Toilet (urinim i shpeshtë), Thirsty (etje e shtuar), Tired (lodhje) dhe Thinner (humbje peshe). Etja e pazakontë ishte shenja e parë, e shfaqur në mesin e dhjetorit 2014, gjatë një udhëtimi shkollor në Gjermani.
Pas kthimit, dy ditë para Krishtlindjeve, Peter filloi të kishte kollë dhe të ftohtë, të cilat më pas u shndërruan në simptoma të ngjashme me gripin.
“Simptomat klasike – urinim i shpeshtë, etje, lodhje dhe humbje peshe – ai i kishte absolutisht të gjitha, por për secilën mund të gjeje një shpjegim tjetër”, tregoi Beth.
Ajo shpjegoi se humbja e peshës iu duk si pasojë e rritjes fizike gjatë pubertetit, etja si pasojë e sëmundjes, ndërsa lodhja dhe urinimi i shpeshtë si simptoma të gjendjes gripale.
“Pa e ditur në atë kohë, këto ishin të gjitha shenja klasike”, tha ajo.
Beth shtoi se djali nuk kishte histori familjare me diabet dhe, përveç ndonjë ftohjeje të zakonshme, nuk kishte pasur probleme shëndetësore apo sëmundje kronike. Pas humbjes së të birit, 47-vjeçarja i premtoi vetes se vdekja e tij nuk do të ishte e kotë dhe se do të bënte gjithçka për të shpëtuar fëmijë të tjerë.
“Unë i premtova Peterit se vdekja e tij nuk do të ishte e kotë dhe se do të përpiqesha të shpëtoja sa më shumë fëmijë të tjerë. Unë kam një zë dhe zgjedh ta përdor për Peterin”, u shpreh ajo.
Në vitet që pasuan, Beth nisi të ndajë historinë e djalit të saj për të rritur ndërgjegjësimin mbi diabetin e tipit 1 dhe për të mbështetur organizatën Diabetes UK Cymru.
Në vitin 2023, ajo organizoi fushatën kombëtare “Rewrite Peter’s Story”, përmes së cilës dërgoi materiale informuese në çdo qendër të mjekësisë familjare në Uells, me qëllim që simptomat paralajmëruese të diabetit të tipit 1 të identifikoheshin sa më herët.
Ajo thotë se, falë ndërgjegjësimit dhe ndarjes së shenjave të sëmundjes, ka ndihmuar në shpëtimin e të paktën 23 personave.
“Ne do të kishim pasur 24 orë avantazh nëse mjeku do t’i kishte bërë thjesht një analizë gjaku nga gishti”, tha ajo.
Beth shtoi se vazhdon të flasë për Peterin me dy fëmijët e tjerë, motrën dhe vëllain e tij, duke u kujtuar se është e rëndësishme të përdorin zërin për të ndihmuar të tjerët.
Top Channel