Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar qytetarët për një skemë mashtrimi që po qarkullon përmes mesazheve telefonike, ku persona të paidentifikuar tentojnë të përvetësojnë të dhënat e tyre bankare.
Gjithçka nis me një SMS që njofton marrësin se llogaria e tij bankare është bllokuar. Mesazhi përmban një lidhje elektronike, e cila paraqitet si mënyra për të zgjidhur problemin, por në të vërtetë e orienton qytetarin drejt një faqeje të falsifikuar që imiton faqen zyrtare të një banke.
Përmes kësaj metode, mashtruesit synojnë të sigurojnë informacione konfidenciale, përfshirë të dhënat e kartave bankare dhe kodet e verifikimit, të cilat mund të përdoren për veprime të paautorizuara.
Përballë këtij rreziku, AKSK u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin hapjen e lidhjeve të dyshimta dhe të mos japin në asnjë rrethanë informacione personale apo bankare përmes faqeve të panjohura.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike
͏Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka identifikuar një rast mashtrimi që përdorte emrin e Bankës së Shqipërisë për t’u dërguar qytetarëve SMS me pretendimin se llogaria e tyre bankare ishte bllokuar. Link-u në mesazh i drejtonte përdoruesit te faqe të klonuara të disa bankave të nivelit të dytë, me qëllim vjedhjen e të dhënave të kartës dhe kodeve të verifikimit.
Si të mbroheni?
– Mos klikoni lidhjet në SMS që pretendojnë se llogaria juaj bankare është bllokuar.
– Mos jepni të dhënat e kartës apo kodet e verifikimit.
– Verifikoni çdo njoftim përmes aplikacionit ose kanaleve zyrtare të bankës suaj.
Banka e Shqipërisë nuk kërkon pagesa apo të dhëna kartash nga qytetarët.
Nëse keni vendosur të dhënat tuaja në një nga këto faqe, kontaktoni menjëherë bankën për të marrë masat e nevojshme.
