Një studim i porositur nga Parlamenti Europian vlerëson Shqipërinë dhe Malin e Zi si shembuj të zgjerimit të qëndrueshëm të BE-së.
Studimi i hartuar nga ekspertë të çështjeve europiane dhe ndërkombëtare, i publikuar më 11 nëntor në Komitetin e Jashtëm të PE-së, konsideron Shqipërinë dhe Malin e Zi si dy vendet pretendente kryesore, nga të cilat BE-ja mund të marrë mësime për zgjerimin me kandidatë të tjerë pasardhës.
Shqipëria përmendet pozitivisht për ecurinë e shpejtë të hapjes së negociatave. Ndërsa deri në vitin 2022 vlerësohet një ngadalësim, jo vetëm teknik, por edhe politik për shkak të pengesave nga vende anëtare të BE-së, pas vitit 2022 Shqipëria ka shënuar përshpejtimin më të madh të hapjes së negociatave.
2027 përmendet si një objektiv mjaft ambicioz dhe i arritshëm për të mbyllur negociatat. Shqipëria vlerësohet pozitivisht në fushën e drejtësisë dhe luftës ndaj korrupsionit, ku përmenden veçanërisht puna e SPAK dhe BKH-së.
Shteti ligjor, Shqipëria ka një ecuri mjaft të shpejtë të përafrimit të legjislacionit me BE-në.
Politika e jashtme mbetet po ashtu një pikë e fortë e Shqipërisë në raport me BE-në, pasi ka një përputhje të qëndrueshme në politikën e jashtme dhe të sigurisë me Unionin.
Ndërkohë, administrata publike, sipas këtij studimi, mbetet një pikë kritike për integrimin e Shqipërisë, sidomos në emërimet në administratë. Po ashtu, problemet me pavarësinë e institucioneve, polarizimin politik, lirinë e medias, zbatimin e reformës në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
Studimi vëren se përafrimi i legjislacionit në Shqipëri me BE-në po ecën shumë më shpejt se zbatimi i reformave në fushat kyçe, si në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, në përgjithësi, ecuria e Shqipërisë vlerësohet mjaft pozitive. Pas vitit 2027, ekspertët në shumicë mendojnë se, nëse për Malin e Zi anëtarësimi do të ndodhë në vitin 2028, për Shqipërinë mund të ndodhë brenda viteve 2029–2030. Të dyja vitet mbeten në tryezë, por brenda objektivit.
Por ekspertët vërejnë një përmbysje të tablosë për fundin e kësaj dekade. Këtë herë, është vetë BE-ja që mund të bllokojë anëtarësimet e reja.
Traktatet e anëtarësimit, veç konsensusit të gjerë në Bruksel, kërkojnë ratifikimin edhe nga çdo parlament i vendeve anëtare.
Pra, konkluzioni është se problemi nuk janë më vendet kandidate, por vetë BE-ja. Kjo mund të sjellë një shtyrje të anëtarësimeve, në varësi të zhvillimeve politike, sidomos në vendet kryesore të BE-së.
Pakica e këtyre ekspertëve mendon se, më së shumti, këto pengesa politike mund të çojnë në shtyrjen e anëtarësimit të Malit të Zi për në vitin 2030, kurse për Shqipërinë në vitin 2035. Jo përtej kësaj date.
Masat për këtë skenar negativ janë marrë tashmë, pasi Gjermania dhe Franca, me propozimin e tyre të çuar përpara nga KE-ja dhe miratuar nga Këshilli i BE-së, dolën me strategjinë e re të zgjerimit të BE-së, duke hequr veton e vendeve anëtare për anëtarësimet e reja, duke pamundësuar bllokimin e Shqipërisë, Malit të Zi apo vendeve të tjera kandidate në të ardhmen.
Ndaj dhe pas kësaj strategjie, KE-ja publikoi edhe udhërrëfyesin për katër vendet pretendente, ku për Shqipërinë caktohej edhe kalendari i mbylljes së negociatave me afat final dhjetorin e vitit 2027. Si përfundim, ky studim i porositur nga Parlamenti Europian i sugjeron Komitetit të Jashtëm të marrë për bazë gjetjet për Shqipërinë dhe Malin e Zi dhe të vijojë përpjekjet për mbylljen e negociatave dhe anëtarësimin në BE.
Dokumenti shërben si pasqyrë për eurodeputetët në Parlamentin Europian, bashkëngjitur kësaj edhe faktit se Shqipëria dhe Mali i Zi ndodhen në një moment të mirë të integrimit, ose në kilometrin e fundit drejt bashkimit me familjen europiane.











