Organizata “Real American Freestyle” (RAF) ka publikuar një komunikatë zyrtare, duke konfirmuar se Merab Dvalishvili është liruar nga qendra e ndalimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, pas raportimeve për dënime me burg lidhur me përleshjen e tij me Usman Nurmagomedovin.

Para se të përballej me Marlon Moraes në një event të mundjes së lirë të organizuar nga RAF, Dvalishvili u sulmua papritur nga Nurmagomedov dhe bashkëlojtarët e tij në hollin e një hoteli. Ngjarja përfundoi në një përleshje masive, e cila çoi në arrestimin e disa personave.


Në ditët pas incidentit, nuk dihej gjendja e 10 personave të arrestuar, përfshirë Dvalishvilin dhe Nurmagomedovin. Megjithatë, një komunikatë e re nga drejtori ekzekutiv dhe bashkëthemeluesi i RAF-it, Chad Bronstein, ka konfirmuar se ish-kampioni i UFC-së është liruar.

Pamjet e përleshjes mes Dvalishvilit, ish-kampionit të UFC-së në kategorinë bantamëeight, dhe Nurmagomedovit u bënë shpejt virale në rrjetet sociale, pasi u publikuan nga ylli i UFC-së, Ilia Topuria.

Sipas raportimeve, gjithsej 10 persona janë arrestuar lidhur me këtë incident. Gjashtë prej tyre i përkasin ekipit të Nurmagomedovit, ndërsa në mesin e të arrestuarve ishin edhe Dvalishvili, shoku i tij Saba Lazishvili dhe dy persona që kishin filmuar përleshjen.

Pothuajse 48 orë pas ngjarjes, drejtuesi i RAF-it, Bronstein, konfirmoi se Dvalishvili dhe Lazishvili janë liruar nga qendra e ndalimit në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkohë, për tetë personat e tjerë të arrestuar, mediumi nga Abu Dhabi, The National, ka raportuar se disa prej tyre janë dënuar me burgim.

Sipas njoftimit të Departamentit Gjyqësor të Abu Dhabit, gjashtë të akuzuar janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim, janë gjobitur me nga 300 mijë dirhemë (rreth 61 mijë euro) dhe do të deportohen pas vuajtjes së dënimit. Ata janë shpallur fajtorë për cenim të sigurisë publike, shkaktim të panikut dhe rrezikim të jetës së të tjerëve.

Dy persona të tjerë janë gjobitur me nga 50 mijë dirhemë (rreth 10 mijë euro), për “cenim të sigurisë publike dhe sulm ndaj personave të tjerë”.

Ndërsa dy personat e fundit të arrestuar janë dënuar gjithashtu me nga gjashtë muaj burgim, gjobë prej 300 mijë dirhemësh (rreth 61 mijë euro) dhe deportim, për shkelje të privatësisë përmes përdorimit të teknologjisë informative, duke filmuar dhe publikuar pamjet e përleshjes.

Sipas gazetarit Ariel Helëani, gjashtë personat e dënuar me burg janë anëtarë të ekipit të Nurmagomedovit, dy personat e gjobitur pa dënim me burg janë Dvalishvili dhe Lazishvili, ndërsa dy të tjerët janë personat që filmuan incidentin./Telegrafi/