I vlerësuar të jetë më shumë se 9500 vjeç, Old Tjikko është një nga pemët më të vjetra në botë. Ai ka një veçori të pazakontë: nuk është i njëjti trung që ka jetuar për mijëra vjet, por një pemë klonale, e cila është ripërtërirë vazhdimisht nga i njëjti sistem rrënjor për mijëra vjet me radhë.
Me degët e holla, kurorën e rrallë dhe vetëm 4,9 metra lartësi, bredhi norvegjez i njohur si Old Tjikko nuk duket aspak mbresëlënës në pamje të parë. Megjithatë, ai konsiderohet një nga pemët më të vjetra në botë.
I ndodhur në malin Fulufjället, në provincën Dalarna të Suedisë, Old Tjikko mendohet të jetë më shumë se 9500 vjeç. Kjo do të thotë se ka mbirë rreth vitit 7550 para erës sonë, shumë kohë përpara se njerëzit të fillonin të regjistronin historinë e tyre.
Megjithatë, çuditërisht, pema u zbulua vetëm në vitin 2004. Edhe pse teknikisht është mijëra vjet më e vjetër se pema që mban sot rekordin, Old Tjikko nuk konsiderohet pema më e vjetër në botë.
Si qëndroi e fshehur për mijëra vjet pema Old Tjikko dhe si u zbulua më në fund në vitin 2004
Old Tjikko mbiu mijëra vjet më parë, rreth vitit 7550 para erës sonë. Sipas Science Norway, pema filloi të rritej pas epokës së fundit të akullnajave dhe u zhvillua ngadalë në malin Fulufjället, ndërsa qytetërimi njerëzor po merrte formë.
Perandoria Romake u ngrit dhe ra, Jezu Krishti u kryqëzua dhe Evropa përjetoi dy luftëra botërore, por Old Tjikko vazhdoi të qëndronte krejtësisht e panjohur.
Deri në vitin 2004.
Për pjesën më të madhe të ekzistencës së saj, pema ishte rritur në formën e një shkurreje, të njohur si krummholz, për shkak të kushteve të ashpra klimatike. Por rritja e temperaturave globale bëri që ajo të zhvillohej në një pemë të plotë. Kjo u dha mundësi shkencëtarëve Leif Kullman dhe Lisa Öberg ta dokumentonin Old Tjikko-n në vitin 2004.
"Fakti që sot mund ta shohim këtë bredh si një pemë të mirëfilltë është pasojë e ngrohjes klimatike që ka nisur rreth vitit 1915", tha Kullman për CNN në vitin 2008.
Megjithatë, pavarësisht moshës së saj mbresëlënëse, Old Tjikkonuk është pema më e vjetër në botë. Ky titull i përket një pishe të vjetër të llojit Great Basin bristlecone, me trung të përdredhur, që rritet thellë në malet e Kalifornisë.
Pse bredhi norvegjez 9500-vjeçar nuk konsiderohet pema më e vjetër në botë
Sipas analizave të karbonit, Old Tjikko, e cila mori emrin nga qeni husky siberian i Öberg, është më shumë se 9500 vjeç. Kjo e bën bredhin norvegjez shumë më të vjetër se pema që konsiderohet aktualisht më e vjetra në botë: pisha Great Basin bristlecone në Kaliforni, e njohur si pema Methuselah. Megjithatë, Methuselah, e cila është gati 5000 vjeç, konsiderohet pema më e vjetër në botë, edhe pse është shumë më e re se Old Tjikko.
Pse Methuselah mban këtë titull, kur Old Tjikko duket se ka mbirë mijëra vjet më herët?
Përgjigjja lidhet me rrënjët e Old Tjikko-s.
Bredhi norvegjez është një pemë klonale. Kjo do të thotë se, megjithëse sistemi i tij rrënjor është mijëra vjeçar, gjatë kësaj kohe prej tij kanë dalë trungje, rrënjë dhe degë të reja. Siç vëren Science Norway, që nga viti 7550 para erës sonë pema ka pasur shumë trungje të ndryshme, secili me një jetëgjatësi prej rreth 600 vjetësh, ndërsa sistemi rrënjor ka mbetur i njëjtë.
"Sapo një trung vdes, nga i njëjti sistem rrënjor del një i ri", shpjegoi Kullman për National Geographic në vitin 2008. "Kjo i jep pemës një jetëgjatësi jashtëzakonisht të madhe."
Ndërkohë, Methuselah është një pemë e vetme, e cila rritet që prej vitit 2800 para erës sonë. Edhe pse është më e re se sistemi rrënjor i Old Tjikko-s, trungu i saj është shumë më i vjetër se trungjet e kësaj të fundit.
Në fakt, ka edhe pemë të tjera klonale si Old Tjikko. Në shtetin e Jutas, në SHBA, ndodhet një koloni gjigante plepash të llojit quaking aspen, e njohur si Pando. Ajo është jashtëzakonisht e vjetër: sistemi i saj rrënjor mendohet të jetë nga 8000 deri në 80,000 vjeç. Megjithatë, pemët që përbëjnë këtë koloni janë shumë më të reja dhe vlerësohet të jenë vetëm rreth 100 vjeç.
Po si është gjendja e Old Tjikko-s sot? Pema ndodhet ende në malin Fulufjället, por vitet e fundit është përballur me disa stuhi të fuqishme dimërore, të cilat i kanë shkaktuar dëme.
Si u dëmtua Old Tjikko në vitin 2023, por arriti të mbijetojë
Siç raportoi Science Norway në vitin 2023, Old Tjikko u dëmtua atë dimër nga reshjet e dendura të dëborës. Pasi një guidë malore vizitoi pemën, vuri re se një pjesë e konsiderueshme e majës së saj ishte këputur. Dikur me formën e një peme Krishtlindjesh, tani ajo duket më e shkurtër dhe më e cunguar, pasi ka humbur pjesën e sipërme.
"Rreth një metër i saj është këputur", tha guida malore TommyLönnebacke për transmetuesin publik suedez SVT. Megjithatë, ai shtoi: "Old Tjikko do të mbijetojë."
Edhe pse pjesa e pemës që del mbi tokë është thyer, sistemi rrënjor nën tokë ka mbetur i paprekur. Pikërisht ai është zemra që mban gjallë këtë pemë 9500-vjeçare. Për sa kohë që rrënjët mbijetojnë, do të vazhdojë të jetojë edhe Old Tjikko.
Ndryshe nga Methuselah, vendndodhja e së cilës mbahet sekret, Old Tjikko mund të vizitohet edhe sot. Në qendrën e vizitorëve të Parkut Kombëtar Fulufjället ndodhet një tabelë me këtë mesazh:
"Emri im është Old Tjikko. Lisa ma vuri këtë emër. Shkencëtarët Lisa Öberg dhe Leif Kullman po studionin kufirin e rritjes së pemëve në mal. Me ta ishte edhe qeni i Lizës, Tjikko, ndaj më quajtën Old Tjikko, pasi, në fund të fundit, unë jam pak më i vjetër se qeni... Kështu thanë Lisa dhe Leif. Jam më shumë se 9500 vjeç! Kam kohë që e kam humbur numërimin... Jetoj në një lartësi prej gati 900 metrash mbi nivelin e detit dhe kam një pamje të mrekullueshme nga liqenet Rösjö dhe malet e Idre-s."
Shpresojmë që Old Tjikko të vazhdojë të jetojë edhe për 9050 vitet e ardhshme. / All Thats Interesting – Syri.net
© SYRI.net
Njollat e naftës të para nga hapësira: Ndikimi shkatërrues i goditjeve të anijeve në ekosistemet e Gjirit
Shpërthimet e mëdha vullkanike ndikojnë në temperaturat e oqeaneve, studimi zbulon efektet afatgjata të ftohjes
Rezervat e ujit nëntokësor në rrezik, në 1 në 4 zona thatësira rikthehet para se të rikuperohen