Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka pranuar kërkesën e Rezarta Ibrahimit, për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim për një periudhë gjashtëmujore, për shkak të pasojave që vuajtja e menjëhershme e dënimit do të sillte për tre fëmijët e saj të mitur. Ibrahimi ishte dënuar nga GJKKO në vitin 2025 me 6 vite e 8 muaj burg për një skemë mashtrimi me call centera, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që zhvaste qytetarët europianë.
Me vendimin e sotëm, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Paulin Çera vendosi pranimin e kërkesës së Ibrahimit dhe shtyrjen e ekzekutimit të dënimit deri më 13 maj 2027. Rezarta Ibrahimi kishte paraqitur kërkesën pranë GJKKO-së më 10 nëntor 2026, duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.
Në kërkesën e saj, ajo kishte argumentuar se ekzekutimi i menjëhershëm i dënimit do të sillte pasoja të rënda për tre fëmijët e saj të mitur. Për këtë arsye, kishte kërkuar edhe pezullimin e ekzekutimit deri në shqyrtimin e kërkesës nga gjykata.
Me vendimin e sotëm, GJKKO përcaktoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimit do të zgjasë gjashtë muaj, nga 13 nëntori 2026 deri më 13 maj 2027. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda pesë ditëve, afat i cili nis nga dita pas njoftimit të vendimit. Shtyrja e ekzekutimit nuk përbën shfuqizim apo ndryshim të dënimit, por vetëm shtyrje të përkohshme të vuajtjes së tij për periudhën e përcaktuar nga gjykata.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë









Komente
Komento