Spitalet e Përmetit dhe Devollit janë përfshirë në reformën spitalore, në kuadër të riorganizimit të strukturave shëndetësore dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët. Kjo qasje synon rritjen e eficiencës, garantimin e vazhdimësisë së kujdesit dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore sa më pranë vendbanimit të qytetarëve.

Gjatë një vizite në këto struktura, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Klodiana Spahiu deklaroi se buxheti i vitit 2027 për shëndetësinë dhe çështjet sociale arrin në 117.3 miliardë lekë.

Ajo bëri të ditur se nga janari shërbimi i Onkologjisë do të transferohet në Institutin Kombëtar të Onkologjisë, ndërsa spitalet bashkiake do t’i nënshtrohen një procesi ristrukturimi për t’u shfrytëzuar edhe për shërbime të tjera shëndetësore.

“Ne kemi kaluar në parim në Parlament buxhetin e vitit 2027, i cili, për pjesën tonë të shëndetësisë dhe çështjeve sociale, ka një buxhet që shkon deri në 117.3 miliardë lekë. Jemi munduar të adresojmë aparaturat e Peçanit. Që nga janari, shërbimi i Onkologjisë do të transferohet në Institutin Kombëtar të Onkologjisë. Është menduar që spitalet bashkiake të kenë një ristrukturim dhe të shfrytëzohen edhe për shërbime të tjera”- tha Spahiu.