Lamine Yamal është bashkuar këtë mesditë me grumbullimin e kombëtares së Spanjës, në prag të ndeshjes së Nations League kundër Anglisë, që do të zhvillohet të dielën në orën 20:45 në stadiumin “Metropolitano” të Madridit.

Përveç yllit të Barcelonës, në grumbullim do të rikthehet edhe Mikel Oyarzabal i Real Sociedad. Të dy futbollistët pritet të zhvillojnë pasditen e sotme seancën stërvitore me pjesën tjetër të skuadrës.

Rikthimi i Yamalit u konfirmua nga trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, pas fitores 2-0 ndaj Republikës Çeke në Pragë. Gjendja e sulmuesit nuk konsiderohej serioze, por stafi mjekësor kishte evidentuar praninë e lëngjeve në artikulacionin e gjurit të djathtë, pas një goditjeje të fortë që kishte marrë.

Megjithatë, trajneri De la Fuente deklaroi se futbollisti tashmë është në gjendje të mirë fizike dhe mund të luajë 90 minuta.

Gjatë ditëve të fundit, 19-vjeçari ka qëndruar në Barcelonë, ku ka vijuar trajtimin dhe rikuperimin në ambientet e klubit, me miratimin e trajnerit të kombëtares dhe në koordinim të plotë mes stafit mjekësor të Spanjës dhe atij të Barcelonës.

Ky vendim shkaktoi kritika ndaj futbollistit dhe trajnerit De la Fuente, me pretendimet se Yamal po përfitonte trajtim të privilegjuar në krahasim me lojtarët e tjerë të kombëtares.

Përballë këtyre akuzave, tekniku spanjoll reagoi ashpër, duke sqaruar se vendimi ishte marrë vetëm për arsye mjekësore.

“Të flasësh pa pasur njohuri është e trishtueshme dhe e vajtueshme. Lamine kishte një inflamacion në gju dhe kishte lëngje në artikulacion. Stafi ynë mjekësor, së bashku me atë të klubit, e vlerësuan situatën dhe unë mora vendimin. Për të shmangur këtë udhëtim, preferova që ai të qëndronte në shtëpi dhe të stërvitej me klubin”, deklaroi De la Fuente.

Ai theksoi gjithashtu se Yamal nuk ka asnjë privilegj të veçantë dhe se e njëjta procedurë do të ndiqej edhe për çdo futbollist tjetër në një situatë të ngjashme.

Gjatë qëndrimit në Barcelonë, sulmuesi ka vijuar trajtimin me fizioterapistët e klubit në qendrën stërvitore “Ciutat Esportiva Joan Gamper”, me synimin për të qenë plotësisht i gatshëm për përballjen me Anglinë.

Prania e Yamalit konsiderohet e rëndësishme për Spanjën, e cila kërkon të sigurojë vendin e parë në grup dhe avantazhin e fushës në çerekfinalet e Nations League. Për kombëtaren spanjolle, një barazim në ndeshjen e së dielës në Madrid do të mjaftonte për të arritur këtë objektiv.

Top Channel