Pamje që duken si të shkëputura nga një film fantastiko-shkencor janë publikuar nga presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele. Në videon e shpërndarë prej tij shfaqen forca të armatosura dhe robotë katërkëmbësh të pajisur me armë zjarri, gjatë një operacioni kundër bandave kriminale në Port-au-Prince, kryeqytetin e Haitit.
Operacioni kishte në shënjestër stadiumin kombëtar Sylvio Cator, një prej objekteve më të rëndësishme sportive të vendit, i cili prej rreth dy vitesh mbahej nën kontrollin e grupeve të armatosura. Forcat e sigurisë haitiane, në bashkëpunim me trupat speciale salvadoriane, kanë arritur të rimarrin kontrollin e stadiumit dhe të sigurojnë zonën përreth.
Pamjet tregojnë automjete të blinduara në fushën e stadiumit, ushtarë të armatosur që kontrollojnë ambientet dhe një robot katërkëmbësh, mbi të cilin është montuar një armë zjarri. Videoja nuk sqaron nëse pajisjet robotike janë përdorur për ndërhyrje të drejtpërdrejtë apo për mbështetje dhe vëzhgim gjatë operacionit.
Pas marrjes së kontrollit, Bukele njoftoi se stadiumi do të shndërrohet në një bazë operacionale, nga ku forcat e sigurisë do të vijojnë ndërhyrjet drejt zonave të tjera të kontrolluara nga bandat. Ai bëri gjithashtu të ditur se brenda stadiumit janë gjetur disa kafka njerëzore.
Ndërhyrja vjen në kuadër të dislokimit të më shumë se 2 mijë ushtarëve salvadorianë në Haiti, pas zhdukjes së katër ushtarakëve të këtij vendi gjatë një prite të organizuar nga bandat më 18 tetor.
Haiti prej vitesh përballet me një krizë të rëndë sigurie, ku grupet kriminale kanë marrë nën kontroll zona të tëra të kryeqytetit, duke paralizuar edhe jetën publike dhe aktivitetet sportive.