Rindizet konflikti në Lindjen e Mesme, Irani sulmon radarin e SHBA-së në Bahrein Autoritetet në shtetin amerikan të Tennessee-t po kërkojnë të pengojnë avokatët e Christa Pike që të inspektojnë substancën vdekjeprurëse të përdorur gjatë tentativës së dështuar për ekzekutimin e saj.
Sipas dokumenteve gjyqësore, shteti argumenton se zbulimi i informacionit mbi ilaçin mund të identifikojë kompaninë furnizuese, në kundërshtim me ligjet që mbrojnë sekretin e këtij informacioni.
Rasti ka rikthyer debatin mbi mënyrën e kryerjes së ekzekutimeve me injeksion vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mbi mungesën e transparencës për substancat dhe kompanitë që i furnizojnë ato.
Pike, 50 vjeçe, i mbijetoi dy dozave të pentobarbitalit gjatë tentativës për ekzekutimin e saj në shtator. Sipas avokatëve të saj, substanca nuk arriti të hynte siç duhet në qarkullimin e gjakut, por u grumbullua në krahët e saj, duke shkaktuar djegie dhe flluska të rënda në lëkurë.
Pas ngjarjes, gjyqtarja I’Ashea L. Myles urdhëroi ruajtjen e provave që lidhen me tentativën e ekzekutimit, në kuadër të një padie të ngritur nga mbrojtja e Pike. Megjithatë, në një kërkesë të paraqitur të premten në gjykatë, autoritetet e Tennessee-t kërkuan që gjyqtarja të tërheqë pjesën e vendimit që u lejonte avokatëve të inspektonin, të merrnin mostra dhe të analizonin mbetjet e pentobarbitalit të përdorur gjatë procedurës.
Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, një punonjës i Departamentit të Korrigjimit në Tennessee, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, argumenton se avokatët mund të zbulojnë identitetin e furnizuesit nëse lejohen të shqyrtojnë shishet e mbetura të ilaçit ose etiketat e tyre.
Sipas deklaratës së tij, mbetjet e substancës së përdorur gjatë tentativës së dështuar kanë më shumë gjasa të gjenden pikërisht në shishet e pentobarbitalit të përgatitura për ekzekutimin.
Punonjësi pretendon se furnizuesi aktual ka shprehur shqetësimin se identiteti i tij mund të zbulohet edhe nëse informacioni në etiketa mbulohet pjesërisht. Ai gjithashtu bëri të ditur se një tjetër furnizues kishte ndërprerë komunikimin me departamentin në vitin 2024, pasi identiteti i tij ishte bërë publik. Sipas autoriteteve, nëse humbet edhe furnizuesin aktual, shteti mund të ketë vështirësi serioze për të siguruar substancat e nevojshme për ekzekutimet.
“Avokatët dhe ekspertët e Pike nuk mund të lejohen të shohin, të prekin apo të marrin në çfarëdo mënyre informacion mbi shishet e mbetura të pentobarbitalit nga tentativa e ekzekutimit të saj”, shkroi prokurori i përgjithshëm i Tennessee-t, Jonathan Skrmetti, në dokumentin drejtuar gjykatës.
Ligji i këtij shteti ndalon publikimin e identitetit të individëve apo subjekteve të përfshira në sigurimin e substancave vdekjeprurëse dhe organizimin e ekzekutimeve. Nga ana tjetër, mbrojtja e Christa Pike këmbëngul se qëllimi i kërkesës nuk është zbulimi i kompanisë që furnizon shtetin me substancën vdekjeprurëse.
Avokati Luke Ihnen deklaroi se shqyrtimi i mënyrës se si ishte etiketuar dhe ruajtur pentobarbitali është thelbësor për të kuptuar nëse gjatë përgatitjes, transportit apo administrimit të tij ka pasur probleme, si dhe nëse substanca kishte skaduar.
“Ne ende nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi atë natë. Të gjitha këto janë informacione të vlefshme për të kuptuar se çfarë shkoi keq”, deklaroi ai.
Zëdhënësja e Departamentit të Korrigjimit në Tennessee, Dorinda Carter, nuk pranoi të komentojë çështjen, duke iu referuar procesit gjyqësor në vazhdim.
Top Channel