Qindra studentë të Universitetit të Lirë të Brukselit (ULB) kanë protestuar në kampusin Solbosch kundër rritjes së tarifave të studimit, shkurtimeve në buxhetin e arsimit dhe reformave të qeverisë në arsimin e lartë. Protestuesit kërkuan arsim falas dhe cilësor, duke kundërshtuar politikat që, sipas tyre, po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë aksesin në universitete.
Sipas gazetës “The Brussels Times”, një nga arsyet kryesore të demonstratës është rritja me rreth 43% e tarifave vjetore të shkollimit. Të dhënat e Federatës Valoni-Bruksel tregojnë se kjo masë prek rreth 58% të studentëve të arsimit të lartë.
Me pankarta dhe slogane, studentët kundërshtuan gjithashtu ndryshimet në dekretin “Paysage”, që përcakton organizimin e arsimit të lartë, si dhe shkurtimet e shpenzimeve për këtë sektor në Federatën Valoni-Bruksel.
Në shënjestër të kritikave ishte edhe plani i qeverisë federale për të investuar 34 miliardë euro në sektorin ushtarak deri në vitin 2034. Studentët vunë në kontrast fondet e parashikuara për mbrojtjen me financimin e universiteteve, duke kërkuar më shumë investime në arsim dhe mundësi të barabarta për të gjithë.
Mesazhet e protestës u shfaqën edhe në hyrjet e kampusit. Njëra prej tyre ishte dekoruar me kamuflazh ushtarak dhe mbishkrimin “Arsim elitist + luftë”, ndërsa në një tjetër ishte vendosur slogani “Arsim falas dhe cilësor”.
Në përfundim të demonstratës, studentët u bënë thirrje kolegëve dhe sindikatave të arsimit t’i bashkohen protestës së planifikuar më 17 nëntor, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Studentëve.
Ata shprehën gjithashtu mbështetje për aksionin e 20 nëntorit kundër shërbimit vullnetar ushtarak, të organizuar nga platforma “Service for Peace”.

