Microsoft Corp. deklaroi se po bënte përparim në përpjekjet për të rikthyer aksesin në programet e saj kryesore dhe për t’i dhënë fund një ndërprerjeje të shërbimeve që ka paralizuar institucionet qeveritare, tregtarët dhe bizneset në mbarë botën.
Në një përditësim të publikuar rreth orës 9:00 sipas kohës së Nju Jorkut, kompania tha se po vërente përmirësime në disponueshmërinë e shërbimeve, “me radhët e email-eve të reduktuara ndjeshëm dhe që po i afrohen niveleve normale”. Megjithatë, kompania paralajmëroi se përdoruesit e më shumë se 20 produkteve dhe shërbimeve mund të vazhdojnë të hasin probleme, shkruan Bloomberg.
Mes tyre janë Outlook, Teams dhe mjeti i inteligjencës artificiale Copilot. Përdoruesit e këtyre shërbimeve përjetuan edhe ditën e dytë radhazi probleme me ftesat për takime, të cilat nuk mbërrinin, si dhe me faqet e internetit që nuk përgjigjeshin, gjatë ditës së premte. Ndërprerjet e mëparshme rrallëherë kanë zgjatur më shumë se disa orë.
Që nga nisja e problemeve, pasditen e së enjtes, kompania ka publikuar përditësime pothuajse çdo orë mbi përpjekjet për të riparuar sistemet që nuk funksiononin siç duhej dhe për të ridrejtuar trafikun e përdoruesve larg serverëve të prekur. Herë pas here, ajo ka raportuar shenja rikuperimi, të cilat më pas kanë rezultuar jetëshkurtra.
Ende nuk dihet qartë shkaku i ndërprerjes, megjithëse kompania e përshkroi problemin si mbingarkesë të “një procesi thelbësor” në disa serverë, duke bërë që ata të ndalonin plotësisht së përgjigjuri. Përpjekjet fillestare për të identifikuar problemin dhe për të vendosur një zgjidhje u penguan nga gabime të tjera në serverë.
Microsoft tha se do të japë më shumë hollësi pasi ndërprerja të ketë përfunduar, duke shtuar se nuk ka prova për ndonjë aktivitet keqdashës.
Aksionet e kompanisë ranë me më pak se 1% në hapjen e tregjeve në Nju Jork të premten.
Kompanitë që mbështeten te sistemet e Microsoft-it, përfshirë grupin zviceran të mallrave luksoze Richemont dhe prodhuesin amerikan të kamionëve dhe autobusëve Workhorse Group Inc., u detyruan të shtynin publikimin e rezultateve financiare këtë javë. Richemont e ka dorëzuar që atëherë raportin e saj.
PVH Corp., konglomerati i veshjeve që zotëron markat Calvin Klein dhe Tommy Hilfiger, njoftoi të enjten se do të shkurtonte rreth 4% të fuqisë së saj punëtore në mbarë botën. Disa nga bisedat e vështira me punonjësit, të planifikuara të nisnin në Azi të premten në mëngjes, nuk u zhvilluan për shkak të ndërprerjes së shërbimeve. Si pasojë, punonjësit mbetën në pasiguri për të ardhmen e tyre në kompani, sipas një personi të njohur me çështjen, i cili kërkoi të mos identifikohej për shkak të natyrës private të saj. PVH nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.
Ndërprerja tregon se sa të përhapura janë shërbimet e email-it, komunikimit dhe programet e biznesit të Microsoft-it, si dhe përbën një tjetër shembull të rreziqeve që vijnë nga mbështetja te një numër i vogël ofruesish për teknologji kritike. Ndërsa shumica e defekteve rregullohen shpejt, përditësimet e gabuara dhe problemet me serverët te një ofrues kryesor teknologjie mund të shkaktojnë pasoja zinxhir në ekonominë globale.
Një ndërprerje 15-orëshe në Amazon Web Services vitin e kaluar preku qindra faqe interneti. Ndërsa një përditësim i gabuar i softuerit nga kompania e sigurisë kibernetike CrowdStrike Holdings Inc. në vitin 2024 shkaktoi pezullimin e fluturimeve dhe bllokimin e sistemeve në mbarë botën, duke sjellë dëme prej miliarda dollarësh.
“Tregu i teknologjisë është i përqendruar te një numër i vogël ofruesish që furnizojnë shumicën e shërbimeve dhe ne i marrim këto shërbime si të mirëqena”, tha Stefano Mele, avokat i lartë në studion ligjore Gianni & Origoni, me seli në Romë, i specializuar në sigurinë kibernetike. “Ky përqendrim i pajisjeve, programeve kompjuterike dhe shërbimeve të teknologjisë së informacionit mund të krijojë probleme kur nuk ekzistojnë shërbime rezervë të ofruara nga kompani të tjera, me bazë në pjesë të ndryshme të botës dhe që operojnë nën juridiksione të ndryshme kombëtare”.
Përdorues në më shumë se 70 vende raportuan probleme me aksesin në produktet e Microsoft-it, sipas Downdetector, i cili regjistroi qindra mijëra ankesa. U ndërprenë gjithashtu shërbimet e programeve të sigurisë kibernetike, të ndarjes së skedarëve dhe të administrimit të sistemeve. Kompania i shet këto produkte së bashku me programe të përdorimit të përditshëm në zyra, si Word dhe Excel, në një paketë të quajtur M365. Sipas kompanisë, muajin e kaluar kjo paketë kishte më shumë se 450 milionë përdorues në sektorin tregtar.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Shërbimi Kombëtar Shëndetësor (NHS) u detyrua të riplanifikonte disa procedura, pasi ndërprerja ndikoi në komunikimet, thanë persona të njohur me çështjen. Spitali Guy’s and St. Thomas’ paralajmëroi pacientët se email-i nuk funksiononte, megjithëse procedurat në spitalin e Londrës po zhvilloheshin sipas planit. Sipas gazetës The Guardian, një numër forcash policore lokale njoftuan gjithashtu se nuk mund të pranonin online raportime për krime.
Tregtarë në Singapor, shoqëri brokerimi në Indi dhe zyrtarë në Tokio raportuan gjithashtu probleme me shërbimet e Microsoft-it të premten. Bursa Euronext dërgoi një njoftim paralajmërues se komunikimet e saj përmes email-it nuk ishin të disponueshme.
Ministria e Financave e Japonisë deklaroi në një njoftim se nuk kishte mundur të merrte email-e për pjesën më të madhe të ditës. Pa akses në postën elektronike, ministritë qeveritare u detyruan të vendosnin njoftime në letër për të informuar gazetarët mbi axhendat ditore.
Edhe punonjësit e Bankës së Rezervës së Australisë u prekën nga problemi, pasi Outlook nuk funksiononte në departamentet e bankës, megjithëse operacionet kritike vijuan normalisht. Në Zelandën e Re, zyrtarët e imigracionit pezulluan shqyrtimin e të gjitha aplikimeve për viza.