Bota

E shtuna e pestë e protestave në Francë, mobilizohen 70 mijë forca policore! Parisi pritet të jetë epiqendra e tubimeve

Franca po përgatitet për një tjetër fundjavë protestash kundër rritjes së kostos së jetesës. Të shtunën, pritet të zhvillohen tubime dhe marshime në disa qytete të vendit, ndërsa autoritetet kanë parashikuar angazhimin e deri në 70 mijë efektivëve të policisë dhe xhandarmërisë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Vëmendja kryesore e autoriteteve është përqendruar te Parisi, ku pritet të zhvillohet një pjesë e rëndësishme e mobilizimeve.

Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez deklaroi për mediat se do të zbatohet një plan i ngjashëm me atë të fundjavës së kaluar dhe masat e marra që prej 24 tetorit. Megjithatë, numri përfundimtar i forcave të angazhuara do të rishikohet gjatë një takimi të planifikuar për 13 nëntor.

“Do të kemi të njëjtin plan angazhimi si të shtunën e kaluar”, deklaroi Nunez, duke theksuar se bëhet fjalë për një strukturë të lëvizshme dhe fleksibël, e cila përshtatet sipas zhvillimeve në terren.

Sipas ministrit, grupet që konsiderohen me rrezik për rendin publik kanë tendencë të ndahen në grupe të vogla dhe të përpiqen t’u shmangen masave të sigurisë.

LEXO EDHE: Franca rrit pagën minimale, mbi 1,500 euro nga 1 dhjetori mes protestave për koston e jetesës!

Protesta e 14 nëntorit do të jetë e pesta të shtunë radhazi që qytetarët dalin në rrugë kundër shtrenjtimit të jetesës. Në mobilizime marrin pjesë lëvizja “Jelekët e Verdhë” dhe disa organizata rinore.

Protestave pritet t’u bashkohen edhe kolektivi “Enfantiste”, që kundërshton dhunën ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, organizata që kundërshtojnë një projektligj për prezumimin e përdorimit të ligjshëm të armëve nga forcat e rendit, si dhe aktivistë të mjedisit.

LEXO EDHE: Franca nën “pushtetin” e protestave, angazhohen 70 mijë policë, lëvizja e Jelekëve të Verdhë thirrje për grumbullime

Angazhimi i një numri të madh forcash policore dhe xhandarmërie tregon përgatitjet e autoriteteve franceze për të përballuar një tjetër ditë protestash, me vëmendje të veçantë ndaj situatës në kryeqytet.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.