Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Lushnjë-Berat, pranë fshatit Kashtbardhë, ku një automjet tip ‘Ford’ ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor.
Në makinë, e cila ishte marrë me qira, udhëtonin tre motra dhe një foshnjë rreth dy muajshe.
Drejtuesja e automjetit nuk ka arritur të marrë kthesën, duke dalë nga rruga. Si pasojë, njëra prej pasagjereve është plagosur lehtë dhe është transportuar në spitalin e Lushnjës, së bashku me foshnjën, për kontroll mjekësor.
Mësohet se tre motrat ishin emigrante në Angli dhe po udhëtonin drejt Beratit.
Dyshohet se mungesa e ndriçimit në këtë segment rrugor mund të ketë ndikuar në aksident, pasi drejtuesja nuk ka dalluar kthesën.
Fatmirësisht, shpejtësia e automjetit ka qenë brenda normave të lejuara, duke shmangur pasoja më të rënda.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për dokumentimin e aksidentit. Mungesa e ndriçimit në këtë kthesë ngre sërish shqetësime për sigurinë e qarkullimit në këtë segment rrugor.













