Microsoft ka njoftuar se po shënon përparim në rikthimin e shërbimeve pas një ndërprerjeje të madhe globale, e cila la miliona përdorues në mbarë botën pa qasje në platformat dhe mjetet e saj digjitale.

Sipas kompanisë, situata në Evropë po përmirësohet, ndërsa shpërndarja e email-eve po rikthehet gradualisht në një pjesë gjithnjë e më të madhe të infrastrukturës.


“Japonia mbetet relativisht më e qëndrueshme, ndërsa situata në Amerikën e Veriut po përmirësohet gjithashtu. Megjithatë, disa klientë mund të përjetojnë ende ndërprerje në qasjen në shërbime”, deklaroi Microsoft, raporton BBC.

Ndërprerja globale, e cila zgjati të paktën 18 orë, shkaktoi probleme në përdorimin e Outlook, Teams dhe shërbimeve të tjera të Microsoft, duke ndikuar në funksionimin e bizneseve, institucioneve arsimore dhe shërbimeve publike.

Pasojat më të mëdha u raportuan në Shtetet e Bashkuara dhe Australi, por problemet u shtrinë edhe në rajone të tjera të botës, raporton CNN.

Në SHBA, disa punonjës u detyruan ta përfundonin më herët ditën e punës për shkak të problemeve me sistemet e brendshme.

Ndërsa në Australi, disa biznese hasën vështirësi në printimin e faturave dhe shkolla të caktuara nuk arritën të zhvillonin mësimet online.

Problemet prekën gjithashtu transmetimet e drejtpërdrejta nga gjykatat, intervistat online të punës dhe qendrat e shpërndarjes që furnizojnë supermarketet.

Microsoft bëri të ditur se ekipet teknike po vazhdojnë punën për stabilizimin e serverëve dhe rikthimin e plotë të shërbimeve.

Megjithëse përpjekjet fillestare kanë sjellë përmirësime, kompania pranoi se rikuperimi i qëndrueshëm nuk është konfirmuar ende.

Microsoft paralajmëroi se disa përdorues mund të vazhdojnë të përballen me probleme deri në përfundimin e plotë të procesit të rikuperimit. /Telegrafi/