Buxheti për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të arrijë në 17.9 miliardë lekë në vitin 2027, nga 16.4 miliardë lekë që është këtë vit. Ndërkohë, mbështetja për fermerët përmes Skemës Kombëtare do të jetë 5.3 miliardë lekë, me një rritje prej vetëm 100 milionë lekësh krahasuar me vitin 2026. Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, tha se skema e mbështetjes për fermerët do të diskutohet me vetë përfituesit, përmes dëgjesave që synojnë evidentimin e problematikave dhe përfshirjen e propozimeve të reja.
“Ne do të bëjmë dëgjesa me fermerët, që ato problematika që mbase ne kemi pasur gjatë këtij viti apo sugjerime që ata kërkojnë, që nuk janë të përfshirë në skemën kombëtare, ne ta përfshijmë”, u shpreh Salla. Një tjetër instrument financiar që pritet të zgjerohet vitin e ardhshëm është kompensimi i TVSH-së në masën 10% për fermerët që shesin prodhimet e tyre te grumbulluesit apo subjektet e agroturizmit, kundrejt autofaturave.
Për këtë mekanizëm, qeveria ka parashikuar një fond minimal prej 3 miliardë lekësh në vitin 2027, dyfishi i shumës së vendosur në dispozicion gjatë vitit 2026. “Minimumi, është 3 miliardë lekë. Pra 30 milionë euro. Ne e kemi dyfishuar, kemi pasur 15 milionë euro në vitin 2026 dhe dyshemeja në vitin 2027 është 3 miliardë, ose 30 milionë euro”, deklaroi ministri. Sipas Sallës, vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, fermerët kanë përfituar rreth 12.5 milionë euro nga kompensimi i TVSH-së. Ai theksoi se procedura është e thjeshtuar dhe kërkon vetëm autofaturën si dokument për përfitimin e mbështetjes.
“Është një instrument shumë i mirë, sepse ne duke parë një mundësi të mirë për mbështetjen e fermerëve dhe drejtpërdrejtë pa burokraci apo dokumentacione, pra një mënyrë e drejtë ndaj përfitimit të tyre, kërkon vetëm një dokument si autofatura”, tha Salla. Ministri shprehu pritshmëri që edhe pagesat për gjashtëmujorin e dytë, të cilat pritet të realizohen në dhjetor, të jenë më të larta, bazuar në të dhënat e administratës tatimore.
Duke folur për shpërndarjen e buxhetit të vitit 2027, Salla sqaroi se fondet nuk do të përqendrohen vetëm te subvencionet për fermerët, por do të shërbejnë edhe për investime në infrastrukturën bujqësore, bordet e kullimit, mbrojtjen nga përmbytjet, sigurinë ushqimore dhe laboratorët. “Siç kemi diskutuar edhe në komisionet përkatëse, buxheti i akorduar për vitin 2027 është rreth 18 miliardë lekë. Është një buxhet që vjen në rritje, këtë vit është 10 % më shumë se viti i kaluar”, deklaroi ai.
