“Zhdukja e çmimit Nobel”/ Romani i ri i Namik Dokles, një nderim për viktimat e rëna në luftë

13/11/2026 20:04

Meslumas, qyteti që mirëpriti të dëbuarit me dhunë nga trojet e tyre, ka fituar Çmimin Nobel për Paqe.

Por, një mëngjes të ftohtë marsi, nga ky qytet, në Prokurorinë e Shtetit vijnë dy lajme tronditëse. Një vajzë e një djalë janë zhdukur pa lënë asnjë gjurmë. Në po të njëjtën ditë humb edhe medaljoni i Nobelit, për të cilin zyrtarët e lartë ishin grinder mes njëri tjetri për përkatësinë e çmimit.

Kështu nis vepra më e re e shkrimtarit Namik Dokle, që në fakt i referohet qytetit të Kukësit që ka strehuar mijëra shqiptarë të Kosovës gjatë luftës.

“Ka dy plane. Plani i parë është plani i tragjedisë që ndodhi, që përcillet nga një prej personazheve, i cili ka mbajtur ditarin e kësaj situate. Plani tjetër është plani i zhdukjes së Çmimit Nobel”, tha Namik Dokle, autor i veprës.

Përmes narrativës së përdorur, autori zbulon groteskun provincial të zyrtarëve burokratë, të cilët grinden për një “grimë lavdi”, pa pasur asnjë meritë. Bindja se misioni i letërsisë nuk është të shkruajë për gjeneralët, për heronjtë, por për viktimat e historisë.

“Thelbi i subjketit të këtij romani është nderimi i viktimave të historisë dhe jo atyre që rrahin gjoksin, sikur kanë çliruar jo vetëm Kosovën, por të gjithë botën”, vijoi Dokle.

Romani ngërthen plot situata tragjike dhe lirike, dashuri të sinqerta e tradhti bashkëshortore, ndershmëri sublime dhe hipokrizi, derisa në fund zbulon se ku kishte përfunduar Nobeli i Paqes për Meslumasin, duke ftuar lexuesin në reflekim mbi vlerat njerëzore që mbesin përtej çdo çmimi e trofeu.

Top Channel