Katër emra po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje në skenën politike amerikane, si pretendentët e mundshëm për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2028.
Sipas sondazhit më të fundit të Reuters, në kampin republikan spikasin zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ndërsa demokratët shohin si alternativa senatorin Jon Ossoff dhe ish-sekretarin e Transportit, Pete Buttigieg.
Në mesin e republikanëve, 45% e të anketuarve e vlerësojnë Rubion si një kandidat të shkëlqyer për president, kundrejt 43 për qind që mbështesin Vance.
Megjithatë, gara mbetet e hapur dhe asnjëri prej tyre nuk ka shpallur zyrtarisht kandidaturën.
Pakënaqësia në rritje ndaj presidentit Donald Trump veçanërisht për shkak të luftës me Iranin dhe rritjes së çmimeve të karburanteve, po krijon përçarje mes republikanëve.
Një pjesë kërkon vazhdimësinë e politikave të Trumpit, ndërsa të tjerë preferojnë një figurë më të distancuar prej tij.
Në kampin demokrat, debati përqendrohet te rikthimi i qendrës politike dhe mënyra se si duhet përballuar administrata Trump.
Megjithatë, strategët politikë paralajmërojnë se është ende herët për të nxjerrë përfundime.
Deri në zgjedhjet e vitit 2028, skena politike amerikane mund të prodhojë emra të rinj dhe aleanca të papritura.













