Mauricio Pochettino nuk i ka mbajtur dot emocionet teksa ka shpjeguar vendimin për t'u larguar nga drejtimi i përfaqësueses së Shteteve të Bashkuara dhe për të marrë drejtimin e Manchester United. Trajneri argjentinas e cilësoi këtë ndarje si një vendim shumë të trishtë, por pranoi se një ofertë nga një klub me përmasat e gjigantit anglez është e vështirë të refuzohet.
“Besoj se e kuptoni që gjatë karrierës nuk të shfaqen shumë mundësi si ajo e një klubi me përmasat e Manchester United. Sigurisht, kur të vjen një mundësi e tillë, është e vështirë ta refuzosh”, deklaroi Pochettino në konferencën e parë për shtyp pas konfirmimit të emërimit të tij.
Manchester United zyrtarizoi këtë të premte argjentinasin si trajnerin e ri të skuadrës, duke nisur nga 18 nëntori, në vend të Michael Carrick. Pochettino ka firmosur një kontratë deri në vitin 2029.
Gjatë konferencës, tekniku u shfaq dukshëm i emocionuar dhe falënderoi Federatën Amerikane të Futbollit për besimin e treguar. Ai pranoi se largimi nuk ishte i lehtë, por theksoi se kombëtarja amerikane ka krijuar një bazë të mirë për të ardhmen, pikërisht në prag të një cikli të ri katërvjeçar pas Botërorit 2026.
“Besoj se ekziston një bazë e mirë për të vazhduar rritjen. Kemi një nivel shumë të mirë lojtarësh. Gjëja më e rëndësishme është se kemi hedhur themelet e duhura dhe kemi konkurruar në nivelin që treguam gjatë Botërorit”, u shpreh ai.
Pochettino mori drejtimin e Shteteve të Bashkuara në vitin 2024, me objektivin për të udhëhequr ekipin në Kupën e Botës 2026, ku amerikanët ishin një nga vendet organizatore. Ai arriti ta mbyllte fazën e grupeve në vendin e parë, pas fitoreve ndaj Paraguait dhe Australisë, ndërsa siguroi kalimin në fazën e 1/8-ve pas suksesit kundër Bosnjë-Hercegovinës. Megjithatë, aventura përfundoi me një humbje të rëndë ndaj Belgjikës.
Pavarësisht eliminimit, federata amerikane i kishte ofruar rinovimin e kontratës deri në vitin 2030, por trajneri zgjodhi të pranonte ofertën e Manchester United.
Argjentinasi zbuloi gjithashtu se gjithçka ndodhi shumë shpejt.
“Gjithçka ishte shumë e shpejtë. Mbërritëm këtu të premten e kaluar dhe të dielën pasdite nisi të shfaqej kjo mundësi, me disa kontakte të para. Ne kemi qenë shumë transparentë gjatë gjithë procesit”, tregoi ai.
Megjithatë, Pochettino do të drejtojë edhe një herë Shtetet e Bashkuara përpara largimit përfundimtar. Sfida e tij e fundit do të jetë përballja me Haitin në çerekfinalet e Ligës së Kombeve të CONCACAF-it, me ndeshjet e programuara këtë të shtunë dhe të martën e ardhshme. Objektivi është kualifikimi në gjysmëfinale.
Në aventurën e tij me përfaqësuesen amerikane, Pochettino regjistroi 21 fitore, dy barazime dhe 12 humbje, pa arritur të fitojë ndonjë trofe. SHBA-ja përfundoi në vendin e katërt në Ligën e Kombeve të CONCACAF-it në vitin 2025, ndërsa humbi finalen e Kupës së Artë ndaj Meksikës.
Tashmë, trajneri argjentinas përgatitet për një sfidë të re në Premier League, ku do të ketë detyrën e vështirë për të rikthyer Manchester United mes skuadrave më të mira të futbollit europian.
© SYRI.net
Sondazhi/ Tfiozët argjentinas zgjedhin futbollistin që duhet të trashëgojë numrin 10 të Messit
LeBron James drejt përfundimit të supervilës luksoze në Beverly Hills, ja si duket rezidenca gjigante
Brazili nis epokën e re pa Neymarin, Ancelotti beson te të rinjtë dhe i beson shiritin e kapitenit RaphinhasBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: