Një hetim gati njëvjeçar i Sky Neës ka zbuluar mënyrën se si rrjetet kriminale shqiptare rekrutojnë shpërndarës kokaine në Britani, duke ofruar pagesa deri në 280 paund në ditë. Hetimi u zhvillua në disa qytete dhe zona të Britanisë, ndërsa gjurmët i çuan gazetarët deri në Spanjë dhe Shqipëri. Në një takim në një kafene, një person që u prezantua me emrin “Leo” i ofroi gazetarit akomodim, një listë çmimesh për kokainën dhe mundësinë për të nisur shpërndarjen brenda pak orësh. “Fillo punën tani”, i tha ai, pa e ditur se biseda po regjistrohej. Në një tjetër takim, një person i ofroi gazetarit 280 paund në ditë, të paguara në para cash, për shpërndarjen e kokainës. Sipas hetimit, rrjetet kriminale përdorin kryesisht rrjetet sociale për të gjetur trafikantë të rinj, përmes reklamave në gjuhën shqipe që premtojnë paga të larta, akomodim dhe mbulim të shpenzimeve të karburantit. Disa prej tyre përdorin edhe simbolin e flokëve të dëborës, që në komunikimet online lidhet me kokainën.