Monica Busetto është liruar nga burgu pas gati 13 vitesh vuajtje dënimi, pasi Gjykata e Apelit në Trento pranoi kërkesën e dytë për rishikimin e procesit gjyqësor. 64-vjeçarja ishte dënuar përfundimisht me 25 vite burg për vrasjen e fqinjës së saj, 87-vjeçare, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj, në dhjetor të vitit 2012. Por çështja mori një kthesë të fortë disa vite më vonë, kur Susanna Milly Lazzarini, autore e një tjetër vrasjeje të kryer në vitin 2015, pranoi se kishte vrarë edhe gruan e moshuar. Lazzarini kishte vrarë gjithashtu Francesca Vianellon, në rrethana dhe me mënyra të ngjashme me vrasjen e parë. Pas rrëfimit të saj, nisi një betejë e gjatë ligjore për të rishikuar dënimin e Monica Busettos, e cila kishte këmbëngulur për pafajësinë e saj. Tashmë, pas gati 13 vitesh të kaluara në qeli, vendimi i Gjykatës së Apelit në Trento i ka hapur rrugën lirimit të saj.