Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të sulmojë në një fjalim të premten “burokratët globalë pa shpirt”, të cilët përdorin argumentet e rendit të bazuar në rregulla për të minuar politikn e jashtme të SHBA-së. Ai do të paralajmërojë se “shpirti i Marksit” i mbijetoi Bashkimit Sovjetik.
Udhëheqësit amerikanë të të dyja partive kanë mbrojtur “rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, rrjetin e institucioneve të pasluftës të krijuara nga Amerika. Rubio pritet të argumentojë se ky sistem është kthyer kundër vendit që e ndërtoi, duke përsëritur të njëjtin qëndrim që mbajti gjatë seancës së konfirmimit në janar 2025, kur e cilësoi rendin e pasluftës si “një armë që po përdoret kundër nesh”.
Në një version paraprak të fjalimit të Rubios, të siguruar nga Fox News Digital, ai shpjegon se si marksizmi vazhdon të ketë një prani të fortë në shoqërinë perëndimore. Ky qëndrim merr rëndësi në kushtet e përhapjes së bindjeve komuniste dhe marksiste, të cilat kanë nxitur protesta kundër administratës dhe vlerave perëndimore, shkruan Fox.
Megjithatë, komentet mund të ndryshojnë gjatë mbajtjes së fjalimit.“Për këtë elitë globale, ‘e drejta ndërkombëtare’ nuk është një tërësi neutrale rregullash”, pritet të thotë Rubio. “Ajo është një instrument për të çuar përpara interesat e tyre, nën maskën e parimeve universale. Ata janë mbrojtës të vendosur të demokracisë, deri në momentin kur një zgjedhje e caktuar bie ndesh me interesat e tyre.”
“Edhe pse mposhtëm institucionin e komunizmit sovjetik, ne nuk triumfuam mbi shpirtin e Marksit”, thuhet në pjesën e fjalimit që pritet të mbajë Rubio. “Ai vazhdon të jetojë në këto forma dhe doktrina të reja, të cilat synojnë t’ia nënshtrojnë vullnetin kombëtar konsensusit të rëndomtë botëror. Marksizmi, në formën e tij tradicionale, kërkonte të zhdukte dallimet mes njerëzve; radikalët e kohës sonë kërkojnë të zhdukin vetë dallimet mes kombeve.”
Rubio pritet t’i drejtohet të premten Shoqatës Federaliste (Federalist Society), në kuadër të Konventës Kombëtare të Juristëve. Ai do të kritikojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe organizma të tjerë globalë, të cilët, sipas tij, po e përdorin ligjin si armë politike dhe jo për të vendosur drejtësinë. Sipas një burimi nga Departamenti i Shtetit, sekretari amerikan argumenton se këto institucione po përpiqen t’ia lidhin duart Amerikës dhe t’u lejojnë gjyqtarëve e burokratëve të pazgjedhur jashtë vendit të anashkalojnë vendimet që u takojnë qytetarëve amerikanë.
Sekretari i Shtetit pritet të mbrojë sanksionet e administratës ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, të cilën ai e quan “një gjykatë botërore e pazgjedhur”. Nëse kjo gjykatë përpiqet të zbatojë “dekretet e saj në letër” kundër amerikanëve, ai planifikon të thotë se përgjigjja e SHBA-së do të pasqyrojë fjalët e gjeneralit romak Pompeu: “Mos u citoni ligje njerëzve që kanë shpata.”
Ai do të kundërshtojë gjithashtu ata që thonë se amerikanët jetojnë në “tokë të vjedhur”, duke argumentuar se kritikët që mbështesin këtë bindje mohojnë të drejtën e kombit për të ekzistuar dhe duke e përshkruar SHBA-në si “një komb me ambicie të papërmbajtshme”, sipas fragmenteve të fjalimit.
Javën e kaluar, senatori i zgjedhur Abdul El-Sayed iu referua konceptit të “vetëvendosjes” dhe shtjelloi një argument mbi rolin e Amerikës në sistemin ndërkombëtar të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, duke e cilësuar atë si “shkelësin kryesor” të së drejtës ndërkombëtare.
“Bukuria e këtij vendi qëndron te idealet tona”, tha El-Sayed.

“Ne udhëhoqëm përpjekjet në këtë vend për të ndërtuar një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, vijoi ai. “Ne krijuam Kombet e Bashkuara, Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Gjykatën Penale Ndërkombëtare, në mënyrë që të mbronim idealet e demokracisë. Këtë e bëmë. Dhe më pas vazhduam të bëheshim shkelësi kryesor i pikërisht të njëjtave ideale. T’i kërkoje vendit tonë të respektonte këto ideale u kthye në një çështje të hapur: si mund ta bëje një gjë të tillë?”
Fjalët e El-Sayed pasqyruan gjuhën e përdorur në fund të vitit të kaluar nga Neville Roy Singham, rrjeti financiar i të cilit ka mbështetur organizatën CodePink dhe organizata të tjera të krahut të majtë.
Pas martesës së tij me Evans në vitin 2017 dhe shitjes së ThoughtWorks, kompanisë së teknologjisë që kishte themeluar, Singham drejtoi 285 milionë dollarë drejt organizatave jofitimprurëse dhe mediave, sipas një investigimi të Fox News. The People’s Forum mori 22,4 milionë dollarë nga Singham, ndërsa CodePink përfitoi 1,33 milionë dollarë. BreakThrough BT Media Inc., kompania që administron BreakThrough News, mori 1,098 milionë dollarë, sipas deklarimeve tatimore. Singham dhe bashkëshortja e tij, Jodie Evans, bashkëthemeluese e CodePink, jetojnë në Shangai të Kinës.
Në një fjalim të mbajtur saktësisht një vit më parë, më 13 nëntor 2025, në “Forumin Akademik të Jugut Global”, në hotelin Golden Tulip në Shangai, Singham argumentoi se “rendi ndërkombëtar ekzistues i bazuar në rregulla” ishte ndërtuar mbi një narrativë të rreme për Luftën e Dytë Botërore. Ai bëri thirrje për krijimin e një “rendi të ri botëror”, të bazuar në multilateralizmin e promovuar nga presidenti kinez Xi Jinping dhe Partia Komuniste e Kinës.
“Rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla u krijua mbi një tjetër gënjeshtër”, tha Singham.
“Nëse duam, pra, të kemi një rend të ri botëror të bazuar në multilateralizmin që kanë propozuar presidenti Xi, PKK-ja dhe Kina, duhet të zhbëjmë dëmin ideologjik të shkaktuar nga narrativa e Luftës së Dytë Botërore”, kishte deklaruar Singham.
Kjo armiqësi ndaj SHBA-së është përhapur në veprimtarinë antiamerikane të organizatave të ekstremit të majtë.

CodePink, The People’s Forum dhe Partia për Socializëm dhe Çlirim janë pjesë e një rrjeti që organizon protesta, mesazhe, tubime dhe forma të tjera mbështetjeje për Partinë Komuniste të Kubës
Në The People’s Forum, Tricontinental dhe organizata të tjera të financuara nga Singham, programet përfshijnë fushata solidariteti me Kubën, mbështetje për Venezuelën, iniciativa kundër sanksioneve ndaj Iranit, kundërshtim të zgjerimit të NATO-s dhe aktivitete edukative për Kinën. Të gjitha këto paraqiten brenda një narrative më të gjerë të “rezistencës” ndaj ndikimit amerikan.
Fletëpalosjet e aktiviteteve dhe postimet në rrjetet sociale i kushtojnë vazhdimisht vëmendje Kubës, duke promovuar leksione të hapura, veprimtari kulturore dhe delegacione që kundërshtojnë politikën amerikane.
Kjo narrativë përputhet me refuzimin e sistemit perëndimor nga Singham.
Investigimet e Fox News kanë zbuluar se “shpirti i Marksit” ka krijuar seli dhe struktura të dukshme, programe mësimore dhe mekanizma financimi në botën e organizatave jofitimprurëse amerikane. Sipas këtyre investigimeve, ai luan gjithashtu një rol të rëndësishëm si kanal për dërgimin e aktivistëve në rrugët e Amerikës, ku marrin pjesë në protesta në mbrojtje të regjimeve komuniste në mbarë botën dhe përhapin propagandë antiamerikane.
Në The People’s Forum në Manhatan, libraria dhe shtëpia botuese 1804 Books e përshkruan veten si një burim të “literaturës socialiste dhe teorisë revolucionare”, duke shitur libra të Marksit, përfshirë edhe një libër për ngjyrosje për fëmijë. Investigimi i Fox News Digital gjurmoi 22,44 milionë dollarë drejt The People’s Forum dhe 16,76 milionë dollarë drejt Tricontinental, përmes rrjetit të financimit të Neville Roy Singham.
Katalogu i librarisë ofron një listë leximi që pasqyron këtë botëkuptim: “Kritika e Programit të Gothës” dhe “Kritika e Ekonomisë Politike” të Marksit, si dhe “Ideologjia Gjermane”, të shkruar së bashku me filozofin Friedrich Engels.
Brenda rrjetit të Singhamit, Tricontinental e vendos marksizmin në themel të misionit të saj institucional. Në deklaratën për misionin dhe veprimtarinë e organizatës, “marksizmi i çlirimit kombëtar” identifikohet si tradita themelore e saj, ndërsa i referohet edhe argumentit të Marksit se filozofia duhet ta ndryshojë botën.
Në pjesën tjetër të gjerë të sektorit të organizatave jofitimprurëse, organizata të tjera mbajnë emrin e Marksit ose përqafojnë shprehimisht idetë e tij. “Marxist Education Project” deklaron se vepron përmes organizatës së përjashtuar nga taksat Movement Education Project Group Inc. dhe se përqafon marksizmin si kuadër ideologjik. The People’s Forum ka organizuar më parë edhe grupin e studimit të veprës “Kapitali”, vëllimi II.
“People Before Profits Education Fund”, e njohur gjithashtu si Chelsea Fund for Education, kërkon mbështetje financiare për “edukimin marksist” dhe rendit ndër projektet e saj “Little Red Schoolhouse”, një shkollë marksiste kombëtare që trajnon aktivistë të rinj. Ndërkohë, “Marxists Internet Archive” e përshkruan veten si një bibliotekë publike jofitimprurëse që ruan shkrimet marksiste.