SKANDAL/ Si gënjeu Tërmet Peçi me firmë dhe vulë Delina Ibrahimajn, Ervin Meten dhe Petrit Malajn!

Bashkia Tepelenë, gjatë kohës kur drejtohej nga Tërmet Peçi, ka dërguar në Ministrinë e Financave informacione që nuk përputheshin me realitetin, duke deklaruar si të realizuara kontrolle të brendshme që në fakt nuk ishin përfunduar.

Skandali është zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili gjatë auditimit të bashkisë ka konstatuar se administrata vendore kishte planifikuar tetë auditime të brendshme, por nuk kishte realizuar asnjërin. Ndërkohë, në Ministrinë e Financave ishte raportuar sikur katër prej tyre ishin kryer.

Të lidhura

None found

Në dokumentet e dërguara në Tiranë gjatë periudhës 2023-2025, Bashkia Tepelenë rezultonte se kishte kontrolluar një pjesë të administratës së saj, ndërsa në praktikë këto auditime nuk ishin përfunduar.

Sipas raportit të KLSH-së, të konsultuar nga Skyweb.al, kontrollet duhej të përfshinin disa prej sektorëve më të rëndësishëm të bashkisë, nga mbledhja e taksave dhe menaxhimi i detyrimeve të prapambetura, deri te shërbimet publike, rrugët rurale dhe funksionimi i njësive administrative.

Bëhej fjalë për fusha ku qarkullojnë para publike, merren vendime për investime dhe administrohen të ardhurat e qytetarëve.

Por asnjë prej këtyre kontrolleve nuk ishte përfunduar. Madje, kur audituesit e KLSH-së kërkuan dokumentacionin përkatës, administrata e Tepelenës arriti t’u paraqiste vetëm një projekt-raport, i cili gjithashtu kishte mbetur i papërfunduar.

Pavarësisht kësaj situate, Ministrisë së Financave i ishte përcjellë një informacion tjetër.

“Nuk është realizuar plani i auditimeve, nga 8 auditime të planifikuara, nuk është realizuar asnjë prej tyre, dhe për këtë nuk pasqyrohet arsye. Theksojmë se në Ministrinë e Financave është raportuar informacion tjetër, pra sikur janë realizuar 4 auditime”, konstaton KLSH.

Konstatimi ngre dyshime serioze mbi mënyrën se si administrata e Tërmet Peçit raportonte veprimtarinë e saj tek institucionet qendrore dhe mbi kontrollin që këto të fundit ushtronin ndaj informacioneve që merrnin nga bashkitë.

Deri më tani, nuk është e qartë nëse strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Financave e kishin verifikuar informacionin e ardhur nga Bashkia Tepelenë apo nëse mospërputhja është identifikuar vetëm pas ndërhyrjes së KLSH-së.

Ajo që e rëndon edhe më shumë situatën është fakti se mungesa e kontrolleve të brendshme nuk ishte e vetmja problematikë.

KLSH ka zbuluar se sektori që duhej të kontrollonte ligjshmërinë dhe përdorimin e fondeve publike nuk kishte as numrin e kërkuar të punonjësve. Për më tepër, drejtuesja e auditit të brendshëm dhe një prej specialisteve nuk kishin certifikimin profesional të detyrueshëm për ushtrimin e këtyre funksioneve.

Për pasojë, gjatë vitit 2025 kishin mbetur pa auditim edhe fusha me rrezik të lartë, si tenderat publikë, lejet e ndërtimit dhe shërbimet që bashkia u ofron qytetarëve.

Pra, ndërsa Ministrisë së Financave i raportohej një situatë ku kontrollet rezultonin të kryera, brenda bashkisë nuk funksiononte siç duhej as mekanizmi që duhej të kontrollonte administratën.

Për këto mangësi, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngarkuar me përgjegjësi drejtpërdrejt Tërmet Peçin, në cilësinë e kryetarit të bashkisë gjatë periudhës së audituar, si dhe përgjegjësen e sektorit të auditit të brendshëm.

Një tjetër detaj është se Bashkia Tepelenë nuk ka paraqitur kundërshtime ndaj këtyre konstatimeve pasi është njohur me projekt-raportin e KLSH-së.

Ndërkohë, kontrolli ka nxjerrë në dritë edhe probleme të tjera në administrimin e bashkisë, përfshirë tendera me parregullsi, investime publike joefektive, të ardhura të paarkëtuara dhe mijëra prona publike ende të paregjistruara.

Mbetet për t’u sqaruar gjithashtu se çfarë verifikimesh ka kryer Ministria e Financave pas marrjes së raportimit dhe nëse është kërkuar ndonjëherë llogari për kontrollet që në dokumente figuronin të realizuara, por që sipas KLSH-së nuk ishin përfunduar. /skyweb.al


Quantcast
bahis siteleriBursa Escortbahis sitelerijojobetgüvenilir bahis sitelerigüvenilir bahis siteleribahis sitelerigrandpashabetgrandpashabetkahraman haberdeneme bonusucasinofast güncel girişstarzbet girişonline notaryxbahisgiftcardmall/mygiftextrabetjojobetkavbet