Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Polonia do të përfaqësohen në negociatat e ardhshme për paqen në Ukrainë, krahas institucioneve europiane. Pesë vendet janë ndër fuqitë kryesore ushtarake të Europës.
Përbërjen e ekipit europian e njoftoi presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, pas takimit të liderëve europianë në Dublin.
Të lidhura
None found
Costa deklaroi se Europa duhet të mbajë një qëndrim të përbashkët në çdo diskutim që lidhet me të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë e kontinentit.
Sipas Reuters, në bisedimet e ardhshme pritet të përfshihen këshilltarët e sigurisë kombëtare të pesë vendeve, përfaqësues të Komisionit Europian dhe të Këshillit Europian. Pritet të përfaqësohet edhe NATO.
Kremlini, nga ana e tij, tha se Rusia është e gatshme të pranojë pjesëmarrjen e vendeve europiane në negociata, nëse ato dëshmojnë se duan të japin një kontribut të vërtetë për paqen.
Kancelari gjerman Friedrich Merz i përshkroi këto deklarata të Rusisë si “të njëjtën lojë të vjetër”. Ai këmbënguli se Ukraina nuk mund të lihet jashtë diskutimeve për të ardhmen e saj, as Europa jashtë atyre për kontinentin, dhe shtoi se arkitektura europiane e sigurisë nuk ka nevojë të rinegociohet.
Kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi gjithashtu kundër lëshimeve të panevojshme ndaj Moskës dhe kundërshtoi kërkesat ruse për të ndryshuar rendin e tanishëm të sigurisë në Europë.
Ndërkaq, negociatori amerikan Jared Kushner njoftoi se ka filluar diskutimet me partnerët europianë për arkitekturën e sigurisë së kontinentit.
Gjatë kësaj jave, përfaqësues të Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe BE-së morën pjesë në Abu Dhabi në bisedimet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.
Rusia dhe Ukraina raportuan njëfarë përparimi në këto bisedime, por nuk kanë arritur ende marrëveshje për çështjet më të vështira, sidomos për kontrollin e territoreve ukrainase.








